Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sjellja e Rusisë pas samitit SHBA-Rusi javën e kaluar dhe bisedimeve të nivelit të lartë në Uashington me liderët evropianë është një sinjal se Moska nuk ka ndërmend të negociojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Tani, sinjalet që po vijnë nga Rusia janë thjesht skandaloze”, tha Zelensky mbrëmjen e 21 gushtit, pasi Rusia përshkallëzoi sulmet ajrore. “Ata po përpiqen t’i shmangen mbajtjes së një takimi. Ata nuk duan ta përfundojnë këtë luftë”.
Forcat Ajrore Ukrainase raportuan të enjten se Rusia lëshoi 574 dronë dhe 40 raketa në disa rajone, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar rëndë zonat e banuara dhe infrastrukturën.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi ajror i Rusisë, më i madhi për këtë muaj, ndodhi disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump priti Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në përpjekje për të shtyrë përpara negociatat e paqes.
Më herët më 21 gusht, Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të bien dakord për një plan konkret mbi garancitë e sigurisë brenda 7-10 ditësh.
“Duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë që të ndalojë luftimet”, tha Zelensky, duke shtuar se presidenti rus, Vladimir Putin, “e kupton vetëm forcën dhe presionin”.
Në shënjestër të sulmeve ruse ishte edhe një fabrikë e madhe amerikane për prodhimin e pajisjeve elektronike.
Guvernatori i rajonit të Zakarpatjës, Myroslav Biletskiy, tha se fabrika është një ndërmarrje civile që prodhon kryesisht pajisje shtëpiake. Ai shtoi se ajo u godit nga dy raketa Kalibr, duke shkaktuar një zjarr që u përhap në një sipërfaqe prej 7.000 metrash katrorë.
Ndërkaq, drejtori për marrëdhënie me publikun Conor Phillips tha se fabrika Flex Ltd ka pësuar dëme, duke shtuar se në këtë ndërtesë nuk prodhohen pajisje ushtarake, por vetëm prodhime për përdorim civil. Ai shtoi se disa punonjës janë plagosur dhe gjashtë persona janë hospitalizuar.
Andy Hunder, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Ukrainë, tha se ishte një sulm raketor rus “me të vërtetë i tmerrshëm” ndaj një prej investimeve më të mëdha amerikane në Ukrainë.
“Kjo nuk ishte vetëm një sulm ndaj Ukrainës. Ishte një sulm ndaj biznesit amerikan”, tha Hunder në X. “Rusia jo vetëm që po shkatërron Ukrainën, ajo po shkatërron dhe poshtëron biznesin amerikan”.
Ai i bëri thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të ndihmojë bizneset amerikane dhe t’i “kundërvihet fushatës së shkatërrimit të Vladimir Putinit”.Ndryshe, gjatë bisedimeve në Uashington më 18 gusht palët u pajtuan që të punohet në një plan për garancitë e sigurisë për Ukrainën pasi të përfundojë lufta. Për ofrimin e garancive të sigurisë barrën kryesore pritet të kenë shtetet evropiane, por ato do të mbështeten nga SHBA-ja./REL