Site icon Tetova Expres

Vijojnë protestat antiqeveritare në Beograd

Dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë marshuan sërish në Serbi. Demonstruesit u mblodhën ndërsa zyrtarët policorë ruanin selinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, hetime transparente dhe ndjekje penale për ata që janë përgjegjës për shembjen e çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad dhe media të lira që, sipas tyre, Vuçiç po përpiqet t’i mbyllë.

Më shumë se njëqind profesorë universitarë dhe të shkollave të mesme kanë humbur vendet e tyre të punës pasi qeveria ndërmori masa ndëshkuese ndaj mbështetjes së tyre për studentët.

“Jemi këtu sot për ta mbështetur të vërtetën, për të mbështetur atë që studentët kanë bërë gjatë 10 muajve të fundit. Ka ardhur koha që diçka të ndryshojë”, tha Pavle Maksimoviq, banor i Beogradit.

“Jemi këtu për t’i mbështetur fëmijët tanë, në gjithçka që ata bëjnë”, u shpreh Igor, banor i Beogradit.

Advertisement

Protesta e madhe e së hënës u mbajt ndërkohë që Vuçiç, udhëtoi për në Kinë për një samit ku marrin pjesë presidenti rus Vlladimir Putin, si dhe liderët e Kinës, Koresë së Veriut, Bjellorusisë dhe Iranit.

Protesta e udhëhequr nga nxënës të shkollave të mesme dhe studentë shënon 10 muaj nga shembja e çatisë së betonit në stacionin e trenit në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Kjo tragjedi ndezi një valë zemërimi për korrupsionin shtetëror dhe neglizhencën e institucioneve që përmendën si shkaqet kryesore./ Alsat.mk

Exit mobile version