Site icon Tetova Expres

Bota shënon Ditën e Bamirësisë për nder të Nënë Terezës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në të gjithë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.

Kjo ditë shënohet edhe në njohjen e rolit të bamirëseve në lehtësimin e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis vendeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave bamirëse dhe individëve, përfshirë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.

Në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në shtator 2015, Kombet e Bashkuara pranojnë që çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj, përfshirë varfërinë ekstreme, është sfida më e madhe globale dhe kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.

Agjenda gjithashtu kërkon një frymë të solidaritetit global, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla e deri te kooperativat e mëdha dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ato filantropike në zbatimin e Agjendës të përqendruar në nevojat e më të varfërve dhe më të prekurve nga krizat humanitare.

Advertisement

Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve.

Ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë.

Advertisement

Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.

Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit, ka shpallur Nënë Terezën si Shën Tereza. /KP/

Exit mobile version