Site icon Tetova Expres

Gashi për Ditën e pavarësisë: Është koha që shteti të rrezatojë me stabilitet dhe vlera, uniteti është fuqia jonë më e madhe

Me rastin e festës së ardhshme shtetërore – Ditës së pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot gjatë pritjes që e organizoi në shtëpinë ligjvënëse, porositi për unitet, bashkim dhe vizion për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Në fjalimin e tij, Gashi e ceki rëndësinë e unitetit thelbësor mes qytetarëve, respektimit të llojllojshmërive dhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët pa ndarje.

“Porosia kryesore që dëshiroj ta bëj në këtë përvjetor të pavarësisë është uniteti. Ne, si shtet i ri, kemi nevojë për shumë gjëra, por mendoj se para së gjithash dhe më së shumti na nevojitet uniteti. Jo një unitet uniform dhe të përshtatshëm, por një unitet thelbësor. Një unitet që respekton dallimet dhe i shndërron ato në pasuri, jo në përçarje. Secili prej nesh duhet të ndiejë përgjegjësi për të mos inkurajuar përçarjet, por për të ndërtuar ura, për të mos përdorur dallimin si mur, por si një dritare përmes së cilës e shohim njëri-tjetrin më nga afër, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit theksoi se pas 34 viteve shtetësi “është koha që Maqedonia e Veriut të ngritet në nivelin që e meriton”.

“Ndoshta për nga madhësia ne jemi shtet i vogël, por, jemi i madh për nga mundësitë, aspiratat dhe ambiciet. Ne jemi qendra e Ballkanit dhe është koha që kjo qendër të rrezatojë me stabilitet, kulturë, dituri dhe vlera, siç rrezatoi edhe në të kaluarën tonë të pasur. Me rëndësi edhe për ne edhe për tërë civilizimin njerëzor”, potencoi Gashi.

Ai shtoi se pavarësia nuk është dhuratë, por premtim që duhet të kultivohet dhe bartet.

“Ky amanet na bashkon sot dhe do të na prijë edhe nesër drejt lirisë më të madhe, drejtësisë dhe drejt një të ardhmeje të përbashkët, ku secili do të ndihet zot në atdheun e vet. Ashtu siç ka thënë presidenti Abraham Linkoln: ‘Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijojmë vetë. Dhe, ne do ta bëjmë këtë – do ta krijojmë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Advertisement
Exit mobile version