Në seancën gjyqësore për skandalin në Onkologji, mjekja Meri Peshevska, e punësuar në Klinikën për radioterapi dhe onkologji, e pranoi fajin për veprën për të cilën ngarkohet.
Ajo tha se nuk është e sigurt nëse për shtatë pacientë për të cilët akuzohet, ua ka vazhduar ose jo terapinë pasi siç tha, vula e saj ka qëndruar te sporteli në atë kohë, ndërsa këtë e ka bërë me qëllim që puna të kryhet më shpejtë dhe mos të presin pacientët.
“Me përgjegjësi dhe vetëdije them se fjalëkalimi im në sistem si dhe vulën u’a kam lënë te sporteli dhe I kanë shfrytëzuar praktikantët, dhe e pranoj fajin”.
Peshevska së bashku me ish drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, si dhe dy onkologë të tjerë akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Për dallim nga Peshevska, më herët ish-drejtori Nikolla Vasev tha se nuk ndjehet fajtor për veprat me të cilat ngarkohet.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat “krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe “trajtim neglizhent”, ku 29 pacientë janë trajtuar me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.
Përveç kësaj, Vasev dhe ish-drejtori ekonomik i Klinikës janë akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2.2 miliardë denarësh për buxhetin e shtetit./ alsat.mk