Siguria në komunikacion është prioriteti ynë i rëndësishëm, theksuan ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryetari i Këshillit Republikan për Sigurinë e Trafikut Rrugor (KRSTR), Goran Angelovski, gjatë dorëzimit të sotëm të pajisjeve nga KRSTR te MPB-ja, që përbëhet nga 23 motoçikleta “Piggio” 310 cc, në version policor dhe 23 komplete pajisje për shoferë.
“Me ngjarjen e sotme e theksojmë bashkëpunimin tonë të suksesshëm deri më tani me Këshillin Republikan për Sigurinë e Trafikut Rrugor, partneritet që në mënyrë të vazhdueshme kontribuon për ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacion. Një qasje e tillë është dëshmi se bashkëpunimi dhe koordinimi mes institucioneve sjell rezultate konkrete për qytetarët, në këtë rast për përmirësimin e sigurisë në rrugë”, theksoi ministri Toshkovski.
Kryetari i KRSTR tha se, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për modernizim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, edhe këtë vit Këshilli Republikan ndan një pjesë të mjeteve për pajisjen e njësive organizative të MPB-së të ngarkuara me kontrollin e trafikut.
“Pajisjet përbëhen nga 23 motoçikleta në version policor me pajisje të plotë motoçiklisti – kostume, çizme, doreza dhe helmetë, me vlerë të përgjithshme prej 11.950.027 denarë, me çka në mënyrë të ndjeshme përforcohen kapacitetet për rregullimin dhe sigurinë në komunikacion. Ky shembull edhe një herë e dëshmon vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha Angelovski.