Në Maqedoni jetojnë qytetarë të cilët flasin gjuhë të ndryshme, me përkatësi fetare dhe kombëtare të ndryshme, dhe ky diversitet është vlerë. Për ta ruajtur atë, duhet të përforcojmë urat mes tyre dhe vazhdimisht të ndërtojmë ura të reja. Përmes arsimit i përforcojmë ato, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Ndërtojmë ura të reja”, të cilën e organizoi Misioni i OSBE-së në Shkup.
Projekti, i cili zgjati dy vite, është vazhdim i aktiviteteve të mëparshme të Misionit të orientuar në integrim ndëretnik në arsim, përmirësimin e demokracisë dhe kohezionit social në vend.
“Përmes arsimit të integruar dhe bashkëpunimit ndërkulturor mes të rinjve nga shkollat fillore dhe të mesme, ku gjuha amtare e të cilëve është gjuha maqedonase, shqipe, boshnjake dhe turke, përmes aktiviteteve të përbashkëta mësimore dhe aktiviteteve jashtëmësimore, së bashku ndërtojmë mirëkuptim të ndërsjellë dhe lidhje të qëndrueshme. Këto aktivitete konfirmuan edhe njëherë të vërtetën se fëmijët dhe të rinjtë komunikojnë shumë lehtë mes vete, pavarësisht sa janë të ndryshëm, nëse të rriturit ua lejojnë këtë,” tha ministrja Janevska.
Për realizimin me sukses të projektit, përveç mbështetjes nga OSBE-ja dhe SHBA-ja, Norvegjia, Polonia, Holanda dhe Luksemburgu, ishin të rëndësishme partneritetet e ndërtuara ndërmjet shkollave, komunave dhe organizatat qytetare.
“Të gjithë së bashku, me shumë vullnet të mirë, aftësi dhe me mjetet e donatorëve, arritëm të udhëheqim disa mijëra të rinj në rrugën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë, për t’u dhënë atyre aftësi të cilët më pas në jetë do t’ju vlejnë shumë personalisht, por që do të lënë edhe gjurmë pozitive në mjediset ku do të jetojnë dhe punojnë”, theksoi Janevska, duke i falënderuar për kontributin e tyre.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes politikave arsimore, vazhdon me aktivitetet për ndërtimin e bashkëjetesës dhe unitetin, si themele të vendit të përbashkët.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës