Në seancën e sotme të Gjykatës kushtetuese do të diskutohet për lëndën, ku është e kontestuar Rregullorja për rregullimin e procedurës për grumbullimin e nënshkrimeve për përkrahje të listave të kandidatëve, të parashtruara nga një grup votuesish dhe mënyra e përcaktimit të noterëve, për zgjedhjet lokale 2025, të miratuar më 17 gusht të këtij viti nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Parashtrues të iniciativës deri te Gjykata kushtetuese janë Shoqata “Kongresi botëror maqedonas” nga Shkupi, të përfaqësuar nga kryetari Todor Petrov dhe Stevçe Stojanov.
Në iniciativën e parashtruar nga Shoqata “Kongresi botëror maqedonas”, parashtruesi njofton se me miratimin e Rregullores së kontestuar është bërë shkelje e Kodit zgjedhor dhe nenit 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe 5, nenet 22, 23, 51, 54, 61 dhe 68 paragrafi 1 alinea 2 nga Kushtetuta. Parashtruesi pohon se edhe pse afatet zgjedhore janë në vijim, KSHZ-ja ka vepruar jashtë kompetencave të veta dhe me akt nënligjor ka përcaktuar kushte për realizimin e së drejtës zgjedhore të qytetarëve për të marrë pjesë në kryerjen e funksioneve publike.
Në iniciativën e parashtruar nga Stevçe Stojanov qëndron se me Rregulloren e kontestuar janë shkelur neni 8 paragrafi 1 alinea 3, nenet 51, 61 dhe 68 paragrafi 1 alinea 2 nga Kushtetuta. Sipas asaj që qëndron në iniciativë, në pikën 4 të Rregullores, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur normë për përkrahje të listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit, respektivisht listë të kandidatit për kryetar të komunës, të parashtruar nga “një grup votuesish”, e cila duhet të nënshkruhet nga të paktën dy votues dhe me këtë rregullim, KSHZ-ja ka dalë jashtë kornizave ligjore dhe është vendosur në rol të ligjvënësit.
Rregulloren e propozoi anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, duke iu referuar nenit 63 nga Kodi zgjehdor, i cili, siç tha, nuk është hequr, ndërsa e rregullon procedurën për grumbullimin e nënshkrimeve për propozimin e kandidatëve, edhe pse nenin 62, i cili ka të bëjë me zgjedhjet lokale, Gjykata kushtetuese e hoqi.