Site icon Tetova Expres

Ndërroi jetë aktori nga Kosova, Enver Petrovci

Ka ndërruar jetë aktori Enver Petrovci. Lajmin për vdekjen e aktorit 71-vjeçar e konfirmoi një familjar.

“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, shkruan Amir Petrovci.

Enver Petrovci u lind në Prishtinë, ishte aktor, regjisor, shkrimtar dhe pedagog i njohur shqiptar. Shkollën e aktrimit e kreu në Beograd, ku edhe u dallua me rolet e para. Pas kthimit në Kosovë, ai u bë një nga figurat kryesore të teatrit dhe kinematografisë, duke themeluar teatrin “Dodona” dhe Shkollën e Aktrimit në Prishtinë.

Ka interpretuar role të mëdha klasike si Hamlet, Macbeth dhe Julius Caesar, ndërsa ka marrë pjesë edhe në filma e seriale të njohura. Si profesor dhe ish-rektor i Universitetit AAB, ka kontribuar në edukimin e gjeneratave të reja të aktorëve. Vepra e tij shquhet për përkushtimin ndaj artit, kulturës dhe gjuhës shqipe, duke e bërë një nga personalitetet më të rëndësishme të skenës shqiptare.

Exit mobile version