Site icon Tetova Expres

Kurti flet për unitet, bashkëpunim dhe vizion gjatë takimit me profesionistët dhe sipërmarrësit shqiptarë në SHBA

Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, është pritur në një takim të veçantë nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë në Amerikë (APEN), gjatë vizitës së tij në New York.

Në një atmosferë bashkëbisedimi me anëtarët e APEN, Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e këtij rrjeti në ndërlidhjen e profesionistëve shqiptarë në diasporë.

“Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton se kush jemi ne si popull,” tha ai, duke shtuar se “diaspora jonë nuk është vetëm një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, rritje dhe progres në të dy anët e Atlantikut.”

Kurti gjithashtu prezantoi “Dritaren për Investimet e Diasporës”, që është pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si një instrument për të nxitur investimet nga jashtë dhe për të krijuar ura bashkëpunimi ndërbreznore dhe ndërprofesionale.

Në përmbyllje të fjalimit të tij, kryeministri theksoi rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë brenda komunitetit shqiptar kudo në botë.

Në këtë ngjarje, krahas kryeministrit Kurti, morën pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.

APEN është një rrjet i themeluar në vitin 2007 nga të rinj shqiptaro-amerikanë në New York, me qëllim të avancimit të komunitetit shqiptar në SHBA dhe krijimit të platformave për bashkëpunim profesional.

Advertisement
Exit mobile version