Site icon Tetova Expres

“Miqtë e Arsimit” e organizuan Konferencën e Shtatë Ndërkombëtare “EduConference”

Më 27 dhe 28 shtator 2025, në Strugë u mbajt Konferenca e Shtatë Ndërkombëtare “EduConference”, e cila mblodhi mbi 350 mësues dhe ekspertë të fushës së arsimit dhe teknologjisë.
Tema bosht e këtij edicioni ishte: “Unlocking AI: Innovate, Integrate, Inspire!”, me fokus në përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e përditshëm arsimor.

Nën mentorimin e Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Mr. Sc. Puhiza Iseni, studentja Yllka Rexhepi prezantoi punimin me titull “Përdorimi i kufjeve të realitetit virtual në klasa: eksplorimi i shkencës, historisë dhe krijimtarisë te studentët”. Ajo demonstroi një model praktik të syzeve të realitetit virtual, të punuara nga vetë ajo, si mjet modern mësimor për të rritur angazhimin e nxënësve dhe për të përmirësuar rezultatet e tyre.

Ky prezantim ngjalli interes te mësimdhënësit, disa prej të cilëve patën mundësi t’i testojnë vetë syzet virtuale. Njëkohësisht, u shfaq interes për organizimin e punëtorive praktike nga Fakulteti Pedagogjik, me qëllim aftësimin e mësimdhënësve për punimin praktik, përdorimin dhe zbatimin e këtyre mjeteve në procesin mësimor.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Dekani i Fakultetit Pedagogjik i UT-së, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, theksoi se fakulteti ndjek me kujdes trendet bashkëkohore të arsimit, duke i harmonizuar programet studimore me zhvillimet globale dhe me nevojat e tregut të punës. Ai potencoi se pjesëmarrja e studentes në këtë konferencë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Fakultetit Pedagogjik për të përgatitur studentë me kompetenca moderne dhe në hap me kohën. Sipas tij, realiteti virtual po shndërrohet në një vegël të fuqishme edukative, që u mundëson nxënësve të eksplorojnë konceptet shkencore në mënyrë interaktive dhe vizuale, të udhëtojnë, të vizitojnë, të krijojnë e të ndërtojnë, duke e bërë procesin e të nxënit më kuptimplotë, motivues dhe bashkëpunues.

Gjatë konferencës, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin ligjërata të ligjëruesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë mbi inteligjencën artificiale, si dhe prezantime të shumta mbi zbatimin praktik të saj në procesin mësimor.

Advertisement

Konferenca u organizua nga Organizata Joqeveritare “Miqtë e Arsimit” (Friends of Education), ndërsa Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me fakultetet tjera pedagogjike në vend, mori pjesë si partner institucional.

Exit mobile version