Dy mërgimtarë nga Tetova, të cilët jetojnë në Zvicër, njëri prej të cilëve ushtron profesionin e zjarrfikësit atje kanë sjellë donacion, uniforma, pajisje dhe tuba për zjarrfikësit e Tetovës. Harbin Jakupi shpreson që nëpërmjet këtij donacioni të ndihmohen zjarrfikësit e Tetovës të cilët për ç’do ditë përballen me flakët dhe zjarrin.
Udhëheqësi i Njësitit Territorial kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti theksoi se pajisje të tilla u kanë munguar zjarrfikësve të Tetovës dhe do të jenë një ndihmë e madhe për të gjithë zjarrfikësit. Ameti deklaron se kjo nuk është hera e parë që ky njësit pranon donacione të tilla të mbështetura nga mërgimtarët shqiptarë.
Përndryshe, Njësia Territoriale Kundër Zjarrit – Tetovë, është njësi e cila mbulon territorin e Komunës së Tetovës dhe pesë komunat rurale që gravitojnë në të. Njësiti është i pajisur me 13 automjete speciale kundër zjarrit dhe 75 zjarrfikës – shpëtimtarë./Tv Koha/