Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prof. Dr. Bashkim Ziberin dhe Doc. Dr. Agron Iljazin, morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare NanoBalkan 2025, e cila u zhvillua në Tiranë të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë solemne e morën fjalën personalitete të shquara nga politika, shkenca dhe diplomacia, ndër të cilët: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Akad. Arben Merkoçi, (ICREA, ICN2 Spanjë), koordinator dhe kryetar i Konferencës, z. Gabriel Cremades Ventura, Ambasador i Spanjës në Shqipëri, Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale e Republikës së Shqipërisë, Akad. Anila Hoda ,Sekretare Shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.
Konferenca ka për synim të evidentojë arritjet më të rëndësishme në nivel botëror në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e politikave shkencore, nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimin e rrjeteve kërkimore. Pjesëmarrja e figurave të shquara botërore, përfshirë nobelistë dhe studiues të njohur, hap horizonte të reja për integrimin e vendeve tona në zhvillimet më të fundit të shkencës bashkëkohore.