Sot, kandidati i pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit Visar Ademi, prezantoi gjendjen alarmante të mbeturinave, borxhin e madh të NP Komunalec dhe planin për zgjidhjen e këtij problemi jetik për qytetarët.
“Sipas të dhënave të grumbulluara, borxhi i NP Komunalec ka arritur mbi 11,000,000 euro, ndërsa punëtorët e pastrimit paguhen vetëm 24,000 MKD dhe punojnë pa sigurim shëndetësor dhe pensional, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike dhe mirëmbajtjen e pastërtisë në qytet. 7 ditë për ta pastruar qytetin dhe fshatrat tona nga mbeturinat. 7 javë për të larguar të gjitha deponitë ilegale. Mbajeni mend fjalën time!”, deklaroi Ademi.
Ademi më këtë rast shtroi pyetjen se si është e mundur që qytete të ngjashme në Evropë janë të pastra dhe të gjelbra, ndërsa Gostivari duket si një deponi
“Kur eci nëpër rrugët e Gostivarit, ndjej trishtim dhe zemërim. Kjo është shtëpia jonë, këtu jetojmë dhe këtu rriten fëmijët tanë. Si është e mundur që qytete të ngjashme në Evropë janë të pastra dhe të gjelbra, ndërsa Gostivari duket si një deponi e madhe? A jemi ne të papërgjegjshëm? Jo! Nuk janë qytetarët fajtorë – janë politikanët e korruptuar dhe administrata që nuk kujdeset. Ata janë ndotësit e vërtetë të qytetit!”, theksoi Ademi duke shtuar se zgjidhja arrihet me me menaxhim profesional, punë të palodhshme dhe përkushtim.