Site icon Tetova Expres

Fillimi i gjeneratës së parë me indeks elektronik

Rektorja e UKM-së, prof. dr. Biljana Angelova, theksoi se ky vit do të mbahet mend si fillimi i gjeneratës së parë me indeks elektronik, pasi të gjitha shërbimet studentore janë të digjitalizuara. Nga ana tjetër, edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup e nisi sot vitin e ri akademik me orën e parë solemne, ku njoftoi për një “rekord historik” regjistrimesh ku gjithsej 1.040 studentë të rinj fituan statusin e studentit gjatë tre afateve të aplikimit, duke dëshmuar, siç u tha në njoftim, për “besimin e madh që gjeneratat e reja kanë ndaj UNT-së si institucion i dijes, zhvillimit dhe përparimit”

Me ceremoni solemne dhe me orën e parë akademike sot është hapur zyrtarisht viti i ri akademik 2025/2026 në universitetet e Maqedonisë së Veriut. Mijëra studentë të rinj kanë filluar rrugëtimin e tyre akademik, duke u bërë pjesë e gjeneratës së re që pritet të sjellë energji, dije dhe ide të freskëta në jetën shkencore e shoqërore të vendit.

Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Vesna Janevska, theksoi se ky institucion është themel i arsimit të lartë dhe një hapësirë ku brezat e rinj do të formohen për sfidat e shekullit 21. “Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ sot i hapi dyert për një brez të ri studentësh, për të gjithë ju që besoni se këtu do të merrni njohuri, aftësi dhe mbështetje për t’u rritur në liderë që do ta udhëheqin Maqedoninë në shekullin e 21-të. Ju jeni në vendin e duhur, në universitetin më të vjetër, ku profesorët kanë përgjigje për të gjitha pyetjet tuaja dhe janë të gatshëm ta drejtojnë entuziazmin tuaj drejt disiplinës dhe përgjegjësisë”, tha Janevska.

Ajo informoi se këtë vit janë regjistruar rreth 10 mijë studentë në gjashtë universitetet shtetërore, duke shprehur kënaqësi që shumica kanë zgjedhur të studiojnë në vend. Ministrja përmendi një sërë masash për standard më të mirë studentor, nga përmirësimi i kushteve në konvikte, ndërtimi i objekteve të reja si IT dhe Fakulteti i Edukatës Fizike, zgjerimi i subvencionit ushqimor studentor, transporti publik falas në Shkup, deri te kuponët për pajisje teknologjike për studentët e fakulteteve shtetërore dhe private. Janevska nënvizoi gjithashtu digjitalizimin e shërbimeve dhe qasjen falas për studentët në bazat më të mëdha shkencore botërore si “Web of Science” dhe “Scopus”, duke theksuar se kjo është gjenerata e parë që do të ketë në dispozicion një bazë të tillë shkencore, e cila hap horizonte të reja në kërkimin akademik.

Ndërkaq, rektorja e UKM-së, prof. dr. Biljana Angelova, theksoi se ky vit do të mbahet mend si fillimi i gjeneratës së parë me indeks elektronik, pasi të gjitha shërbimet studentore janë të digjitalizuara. “Interesi më i madh këtë vit është në Fakultetin e Ekonomisë me 707 studentë, por edhe Fakulteti i Mjekësisë, IT, Fakulteti i Filozofisë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit kanë regjistrime të larta. Këtë vit UKM ka regjistruar 5.100 studentë të rinj nga vendi dhe 400 studentë të huaj, që do të thotë rritje prej 700 studentësh krahasuar me vitin e kaluar”, tha Angellova.

Advertisement

Nga ana tjetër, edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup e nisi sot vitin e ri akademik me orën e parë solemne, ku njoftoi për një “rekord historik” regjistrimesh ku gjithsej 1.040 studentë të rinj fituan statusin e studentit gjatë tre afateve të aplikimit, duke dëshmuar, siç u tha në njoftim, për “besimin e madh që gjeneratat e reja kanë ndaj UNT-së si institucion i dijes, zhvillimit dhe përparimit”.

Ndryshe, MASH-i njoftoi se nga sot (1 tetor) deri më 5 tetor është i hapur afati për aplikim për ushqimin e subvencionuar studentor për vitin akademik 2025/2026. Të drejtën mund ta shfrytëzojnë studentët e regjistruar me kohë të plotë, si dhe ata të studimeve pasuniversitare dhe integrale në universitetet shtetërore e private, që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto. Po sot hapen edhe aplikimet për bursa studentore për vitin akademik 2025/2026, të cilat do të zgjasin deri më 15 tetor. Konkursi parashikon gjithsej nëntë kategori bursash për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa nga 3 deri më 20 tetor do të jetë i hapur edhe konkursi për bursat në DSU “Akademia e Sporteve” dhe DSU “Gjimnazi i Matematikës dhe Informatikës”. Të gjitha aplikimet zhvillohen në mënyrë elektronike përmes platformës së njëjtë të MASH-it.

Exit mobile version