Remzi Miftari i dënuar me 10 vjet burg për aksidentin e Llaskarcës si përgjegjës transporti, sot është dashur të paraqitet në burg, megjithatë Gjykata ia ka shtyrë për 30 ditë, me rekomandim të mjekëve përgjegjës të Spitalit të Tetovës, ku Miftari është shtrirë për një intervenim mjekësor, mëson Alsat. Miftari, akt referues për të shkuar në burg ka marrë për herë të parë më 14 maj, megjithatë deri më tani e ka shtyrë, gjithashtu për arsye shëndetësore.
Në po të njëjtën datë, akt referues për mbajtjen e dënimit me burg gjithashtu prej 10 vitesh ka marrë edhe i dënuari Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”.
Megjithatë, edhe atij Gjykata e Gostivarit javën e kaluar për të katërtën herë ia shtyu mbajtjen e dënimit gjithashtu për arsye shëndetësore, respektivisht një intervenimi kirurgjikal, pas vizitës që i bëri gjykatësi për zbatimin e sanksioneve në Spital. Siç mëson Alsat nga burime të sigurta edhe diagnoza e dy të dënuarve është pothuajse identike.
Ndërkohë, ende nuk ka filluar me mbajtjen e dënimit me burg prej 5 vitesh edhe kontrollori teknik Jane Babarovski, i cili gjithashtu për arsye shëndetësore ka kërkuar shtyrje. Nga Gjykata Penale e Shkupit thonë se këto ditë do të vendosin ndaj ankesës së Babarovskit lidhur me vendimin e gjykatësit që urdhëron të shkojë në mbajtjen e dënimit.
Për shkak se të dënuarit nuk kanë filluar ta mbajnë dënimin mbi 5 muaj pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit, paraprakisht protestuan familjarët e viktimave.
“Unë tani duke ardhur këtu. Ja për këtë konferencë për shtyp në ora 11, Durmish Beluli me veturë vozit këtu te Bulevardi “Braqa Xhinovski”. Para ca kohësh, i akuzuari i parë është në dasmë në një kafene”, deklaroi Bllagojçe Trpeski, familjar.
Nga ana tjetër, prej më 6 qershor kanë filluar me mbajtjen e dënimit, shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski i dënuar me 14 vjet burg, udhëheqësi i kontrollit teknik Igor Gjorgjievski i dënuar me 7 vjet burg dhe kontrollori teknik Goran Dukovski, gjithashtu i dënuar me 7 vjet burg. Për aksidentin e Llaskarcës në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, procesi gjyqësor në shkallë të parë zgjati gjashtë vite, ndërsa në maj të vitit 2025 Gjykata e Apelit i rriti dënimit për katër të dënuar. Sipas aktgjykimit, autobusi i aksidentuar ka qenë teknikisht i parregullt, ndërsa të gjithë të akuzuarit nuk i kanë respektuar detyrimet ligjore për sigurinë e udhëtarëve. /Alsat.mk