Site icon Tetova Expres

Kasami: Epoka e Tetovës me gropa ka marrë fund, investime prej 7 milionë euro në infrastrukturë

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, vizitoi lagjen Bllok 70 në Tetovë ku janë kryer disa punë infrastrukturore. Kasami me këtë rast tha se Tetovën e gjetëm të rrënuar, sinonim i gropave dhe infrastrukturës së shkatërruar, një qytet në kolaps. “Sot, lagje pas lagje, Tetova po transformohet dhe po merr pamje tjetër. Sot erdha të shoh punimet në Bllok 70, një lagje e harruar nga pushteti i mëparshëm, me shumë probleme infrastrukturore. Në bashkëpunim me Qeverinë, me një investim prej 15 milionë denarë arritëm në transformimin e plotë të Bllokut Urban 70. Në kuadër të këtyre projekteve për transformimin total të infrastrukturës rrugore të qytetit tonë, po ndërtojmë shumicën e rrugëve në lagjen Drenovec, lagjen Teqe, lagjen Potok, lagjen Kolltuk, lagjen Jashtë Vardari, lagjen tek Xhamia e Rinisë, lagjen Tetovarja, lagjen Cetinskë, bllokun urban përballë Tregut të Gjelbërt apo siç njihet lagjeja Hajduçka”, deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami.

Kasami nënvizoi se edhe në vendbanimet rurale janë duke u bërë investime infrastrukturore. “Edhe në Reçicë të Vogël, Reçicë të Madhe, Xhepçisht, Sellcë, Shipkovicë, Llacë, Saraqinë dhe në shumë lagje dhe fshatra tjerë ndërtuam dhe po ndërtojmë infrastrukturën rrugore, duke i transformuar në fshatra dhe lagje evropiane”, theksoi Kasami.

Ai më tej tha se rreth 7 milionë euro po investohen për infrastrukturën bazë dhe për ndërtimin e rrugëve të reja moderne për lagjet dhe fshatrat e Tetovës. “Nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Gjithsej rreth 430 milionë denarë, ose rreth 7 milionë euro po investohen për infrastrukturën bazë dhe për ndërtimin e rrugëve të reja moderne për lagjet dhe fshatrat e Tetovës. Hap pas hapi po e transformojmë Tetovën në një qytet modern dhe urban, duke mbyllur shumicën e problemeve infrastrukturore. Epoka e kaosit, papërgjegjësisë, Tetovës së rrënuar dhe me gropa ka marrë fund. Progresi që kemi arritur në këto 4 vjet nuk guxon të ndalet. Tetova nuk guxon të kthehet prapa. Tetova vazhdon përpara me Kapitullin e dytë të zhvillimit. Edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm”, tha Kasami.

Ai është shprehur se ka filluar pastrimi i kanalit në Reçicë të Vogël. “Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të Komunës së Tetovës për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një mjedisi më të pastër e më të sigurt për qytetarët”, nënvizoi ai. Bilall Kasami është në garë për mandatin e dytë në krye të Komunës së Tetovës.

Exit mobile version