Çmimet e ulëta, dhe rrjedhimisht disponueshmëria më e lehtë, kanë kontribuar në rritjen e ndjeshme të përdorimit të pijeve energjike midis nxënësve në vitet e fundit. Edhe pse ka ligj që ndalon shitjen e tyre fëmijëve nën 18 vjeç, rrallë mund të jetë problem që një i mitur të shkojë në një dyqan lokal dhe të blejë një kanaçe pije energjike, çmimi i së cilës varion nga 40 denarë e lart, transmeton Portalb.mk.
Kohët e fundit, punonjësit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë folën me nxënësit në Shkollën e Mesme Josip Broz Tito rreth efekteve të dëmshme të këtyre pijeve.
“Kur i konsumoni, keni më shumë energji dhe kjo përmirëson përqendrimin tuaj për momentin, por në planin afatgjatë këto pije mund të shkaktojnë pasoja serioze shëndetësore. Pijet energjike përmbajnë nivele të larta të kafeinës dhe stimuluesve taurinë dhe guarana, të cilat kur konsumohen mund të çojnë në: rritje të presionit të gjakut, pagjumësi, nervozizëm dhe ankth, rrahje të shpejta të zemrës, varësi dhe sëmundje serioze kardiovaskulare”, iu tha nxënësve.
AUV foli për rreziqet e kombinimit të pijeve energjike me alkoolin, dhe gjithashtu u theksua se kur blihet ushqim, është shumë e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje etiketimit të produkteve.
“Pretendimet shëndetësore dhe ushqyese të produkteve ushqimore duhet të mbështeten dhe miratohen shkencërisht paraprakisht. Prioriteti ynë është të ofrojmë informacion të saktë, të qartë dhe të verifikuar mbi deklaratat, në mënyrë që qytetarët të mund të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të jenë të informuar kur blejnë ushqim”, tha Zhaneta Mijoska nga AUV.
Meta.mk shkroi se mjekët paralajmërojnë gjithashtu për efektet e dëmshme në trupin e fëmijëve për shkak të përbërësve taurinë dhe kafeinë. Klinika e Toksikologjisë ka vazhdimisht pacientë të rinj, por edhe të rritur, të cilët kërkojnë ndihmë pasi kanë pirë sasi të madhe pijesh energjike.
Toksikologu Dr. Niko Beqarovski nga kjo klinikë thotë se nuk është e pazakontë që pacientët, pasi kanë pirë dy pije energjike, të kenë takikardi të tmerrshme dhe presion të lartë të gjakut.
“Të gjitha këto pije energjike, nëse kombinohen me droga psikostimuluese si ekstazia, marihuana ose kanabinoide të tjera (diçka që ndodh shpesh), në ato raste efekti si i pijes energjike ashtu edhe i drogës rritet. Kjo do të thotë që nëse keni edhe një psikostimulues brenda jush, pulsi juaj do të shkojë deri në 140. Të rinjtë që kërkojnë ndihmë në klinikë rrallë pranojnë se çfarë kanë konsumuar. Ata thonë se kanë pirë një pije energjike, por fshehin se kanë konsumuar edhe drogë. Por analiza e urinës i zbulon ato”, thotë mjeku, i cili thotë se po të vendoste ai, do të ndalonte pijet energjike.
“Të rinjtë pinë gjithnjë e më shumë sasi të mëdha kafeje gjithsesi, kështu që keni kafe nga njëra anë, plus një pije energjike, e cila përmban taurinë dhe kafeinë. Në këtë mënyrë merrni një dozë të dyfishtë kafeine. Këto janë stimulues ekstremë dhe papritmas e stresojnë organizmin e ri”, shpjegon mjeku.
Mjekët prej kohësh ngrenë alarmin se numri i fëmijëve me probleme kardiake si pasojë e konsumimit të pijeve energjike po rritet çdo ditë.