Site icon Tetova Expres

Aliu: Po përcaktojmë strategjinë kombëtare dhjetëvjeçare për kapacitetet njerëzore, në shëndetësi nevojitet planifikim afatgjatë

Në paraqitjen e tij mbrëmë në televizionin Kanal 5, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, foli për rëndësinë e planifikimit afatgjatë dhe krijimit të politikave në sektorin e shëndetësisë.

“Kemi formuar grupe pune së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe do të përcaktojmë një strategji kombëtare dhjetëvjeçare për kapacitetet njerëzore në shëndetësi. Do të dihet sa klasa do të hapen, në cilin qytet, për cilat profile të arsimit të mesëm profesional dhe sa do të jetë numri i vendeve të lira në fakultetet e mjekësisë. Në fund të ditës do të dimë se sa mjekë do të kemi pas pesë vitesh ose sa infermierë pas katër vitesh, dhe mbi këtë bazë do të krijojmë politika”, deklaroi ministri Aliu.

Sa i përket largimit të mjekëve jashtë vendit, ministri theksoi se paga nuk është faktori kryesor, por dy elementë të tjerë kanë më shumë peshë – infrastruktura më e mirë dhe zhvillimi i karrierës.

“Ne tashmë po punojmë për të eliminuar një pjesë të këtyre problemeve. Për shembull, për sa i përket infrastrukturës së vjetruar, kemi paralajmëruar tashmë një investim të ri prej 205 milionë eurosh në shëndetësi. Mendoj se do të shohim një trend pozitiv të rikthimit të mjekëve nga jashtë”, shtoi ministri.

Ministri Aliu gjatë intervistës u ndal edhe te optimizimi i sistemit “Termini Im”, duke theksuar se digjitalizimi është një nga prioritetet kryesore, për të cilin është krijuar një sektor i veçantë që merret vetëm me procesin e digjitalizimit.

Advertisement
Exit mobile version