Bordi Drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), duke vepruar sipas propozimit të Këshillit të Nderit pranë SHGM-së, mori vendim për përjashtimin e Zoran Bozhinovskit nga anëtarësia e SHGM-së për shkak të shkeljeve të disa neneve të Kodit Etik të Gazetarëve. Vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të rënda dhe të përsëritura të Kodit Etik – përmes një serie publikimesh të fundit që nxisin ngacmim me bazë gjinore ndaj gazetareve dhe cenojnë reputacionin dhe privatësinë e tyre. Përveç kësaj, këto publikime nxisin komente dashakeqe, me ç’rast inkurajohen edhe persona të tjerë të përhapin gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime, dhe në këtë mënyrë krijohet një ambient armiqësor dhe rritet rreziku për sigurinë e gazetareve.
Këshilli i Nderit pranë SHGM-së, duke ndjekur Statutin dhe Rregulloren e punës, pas shqyrtimit të pesë ankesave të dorëzuara në SHGM nga gazetarja Zhanna Bozhinovska, në emër të Mirosllava Simonovska, pastaj nga Jovana Kostadinovska, Aneta Andonova, Sashka Cvetkovska dhe Meri Popova, vendosi se Zoran Bozhinovski ka shkelur rëndë nenin 10, nenin 15 dhe nenin 16 të Kodit të Gazetarëve. Në bazë të kësaj, Këshilli dha propozim për përjashtim, i cili u pranua nga Bordi Drejtues i SHGM-së.
Pse është marrë ky vendim? SHGM ka për obligim të mbrojë standardet profesionale dhe sigurinë e anëtarëve të saj. Normalizimi i ngacmimit dhe poshtërimit publik – sidomos kur drejtohen kundër grave – drejtpërdrejt e minon lirinë e shprehjes, e cenon besimin në media dhe i dekurajon gazetaret të jenë të zëshme dhe të pranishme në sferën publike.
Cilat janë pasojat nëse kjo nuk trajtohet siç duhet? Injorimi i këtyre dukurive çon drejt rritjes së mosndëshkimit, përshkallëzimit të sulmeve online dhe offline, autocensurës dhe shtypjes sistematike të zërave të grave në media, gjë që është e dëmshme për interesin publik dhe diskursin demokratik. SHGM rikujton se, sipas ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, cenimi i sigurisë së punonjësve mediatikë përbën vepër penale, për të cilën tashmë ekziston edhe praktikë gjyqësore.
Theksojmë se çdo anëtar i SHGM-së, gjatë anëtarësimit, nënshkruan deklaratë se do t’i respektojë dispozitat e Kodit Etik. Sipas nenit 20 të Statutit, një anëtar ndaj të cilit janë paraqitur dhe pranuar ankesa për shkelje serioze të Kodit mund të përjashtohet nga shoqata, dhe me këtë t’i humbasë përfitimet nga anëtarësia – ndihmën dhe përfaqësimin ligjor, të drejtën për të marrë dhe përdorur legjitimitet gazetaresk (kombëtar dhe ndërkombëtar, sipas rregullave), pjesëmarrjen në organet dhe programet e SHGM-së, qasjen në trajnime, rrjete dhe shërbime të tjera për anëtarët.
SHGM, si organizata më e vjetër profesionale e gazetarëve në vend me traditë 79-vjeçare, mbetet në anën e gazetarisë profesionale dhe të të gjithë gazetarëve që me integritet dhe përgjegjësi e kryejnë punën e tyre në interes të publikut.