Site icon Tetova Expres

Limani: Grante prej 60 mijë denarësh për të rinjtë që hapin biznese në Gostivar

Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar komune të Gostivarit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, prezantoi një pjesë të programit të tij për rininë gjatë një debati të organizuar në qendrën rinore “iCan”. Në fokus të programit qëndron mbështetja për start-up-et dhe përfshirja aktive e të rinjve në jetën komunitare dhe në vendimmarrje. Një nga pikat kyçe të këtij programi është ofrimi i granteve prej 60.000 denarësh për të rinjtë nën 30 vjeç që synojnë të hapin bizneset e tyre.

“Çdo vit do të mbështeten 30 të rinj përmes kësaj skeme, me qëllim zhvillimin dhe realizimin e ideve afariste,” deklaroi Limani.

Një tjetër iniciativë është emërimi i ‘Ambasadorëve të Respektit’ në shkolla.

“‘Ambasadorët e Respektit’ do të promovojnë mesazhe kundër bullizmit dhe do të luajnë rol kyç në parandalimin e kësaj dukurie në institucionet arsimore,” shtoi më tej Limani.

Ai theksoi gjithashtu se Komuna e Gostivarit ka përmbushur të gjitha obligimet që rrjedhin nga Ligji për Politikat Rinore, duke krijuar edhe tre qendra rinore, përfshirë “iCan”, ku u zhvillua debati. Limani shtoi se të gjitha propozimet dhe idetë e të rinjve do të merren seriozisht dhe do të integrohen në politikat e ardhshme të komunës.

Advertisement

Ndërkaq, bartësi i listës për Këshillin Komunal të Gostivarit nga AKI, Valdet Xhaferi, theksoi se lista e kandidatëve përbëhet nga një numër i madh të rinjsh, duke theksuar se përfshirja e tyre do të ndihmojë në zgjidhjen më efikase të sfidave me të cilat përballet rinia.

“Programi i AKI-së për rininë në Gostivar synon krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve, si dhe rritjen e përfshirjes së tyre në jetën publike,” tha Xhaferi.

Gjatë debatit u theksua rëndësia e mbështetjes për programe që motivojnë të rinjtë të jenë pjesë aktive e komunitetit dhe e procesit të vendimmarrjes.

Exit mobile version