Fushata e këtyre zgjedhjeve është shndërruar në luftë për mbrojtje të Marrëveshjes së Ohrit nga BDI-ja, pavarësisht se për të, pjesa normative dhe zbatimi kishin përfunduar që kur ndryshoi edhe karakterin e saj në parti të gjelbër, shkruan Alsat.
Kreu i kësaj partie, në një sërë daljesh publike, artikulon qëndrime se Marrëveshja e Ohrit po rrezikohet, edhe pse për të gjitha çështjet e ndjeshme për shqiptarët, vetë kjo parti kishte dhënë dritën e gjelbër.
“Marrëveshja është seriozisht e rrezikuar, sepse këta kanë vazhduar kanë hequr balancerin”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Por, së pari, përpara se balancerin ta hiqte Gjykata Kushtetuese, vetë ministrat e BDI-së kishin firmosur heqjen e tij nën arsyetimin se po keqpërdoret në procesin e punësimit nëpërmjet deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike nga qytetarët. Së dyti, vendimi i Kushtetueses tregonte nga ana tjetër se çështja normative e Marrëveshjes së Ohrit nuk kishte mbaruar. Ekspertët në vazhdimësi kishin kritikuar BDI-në që për dy dekada në pushtet, nuk kishte arritur të vendoste Badinterin apo votimin e dyfishtë në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që të parandalonte mbivotimin.
Pjesë e interesit të Ahmetit, që vazhdimisht artikulon kritika është edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Me këtë rast, Ahmeti theksoi se është shfuqizuar edhe Inspektorati.
“Kanë hequr Inspektoratin për Gjuhën, kanë bërë degradim nëpër institucione, e kanë hequr gjuhën shqipe nga përdorimi”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Së pari, Inspektorati nuk është shfuqizuar, por është vendosur nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo është arritur me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvend, ku BDI duke mos marrë pjesë në seancë i toleroi këto ndryshime. Së dyti, BDI-ja kishte votuar për ndryshimet e Ligjit për Riorganizimin e Qeverisë, të cilat parashikonin që inspektoratet të mos ishin organe të pavarura, por të ishin nën kompetencë të ministrive. Lidhur me gjuhën shqipe, Ahmeti, përmend edhe lëndën përpara Gjykatës Kushtetuese.
“Ka pasur iniciativë nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar për abrogimin e ligjit të gjuhës”, theksoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Në fakt, iniciativa nuk është e Gjykatës Kushtetuese, por e parashtruesve. Gjykata formon lëndë për çdo iniciativë që dorëzohet.
“Tamam i ngjante vitit 89 abrogimi i autonomisë së Kosovës nga Millosheviqi. Dhe jemi organizuar, kemi shkuar para Gjykatës Kushtetuese, jemi vendosur me tenda aty”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Protesta me tenda as nuk e ka ndaluar e as mund ta ndal Gjykatën Kushtetuese nga marrja e një vendimi. Faktet flasin se Gjykata caktoi seancë përgatitore, ku pritej të kishte ekspertë të brendshëm e ndërkombëtarë, megjithatë fillimisht u anulua për shkak të tragjedisë së Koçanit, ndërsa më pas në mënyrë të çuditshme doli një vendim i Gjykatës Administrative me të cilin u shfuqizua vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dukovska. Ahmeti tani përgënjeshtron veten, pasi dikur fitonte zgjedhjet duke thënë se Marrëveshja e Ohrit ishte mbyllur.
“Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmes evropiane ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit e kushteve të jetesës së përditshme”, kishte thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI.