Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli sot e mirëpriti në vizitë Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Shkëlqesinë e Saj Ozlem Canel e shoqëruar nga stafi dhe znj. Pranvera Kasamin nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë që ofrojnë universitetet e Holandës për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tetovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve. Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli u shpreh se universiteti ynë është gjithmonë i hapur për bashkëpunime ndërkombëtare të cilat u ofrojnë studentëve tanë mundësi zhvillimi profesional dhe akademik, ndërsa Holanda është një shembull i shkëlqyer i arsimit cilësor dhe inovativ.
Ndërsa Ambasadorja e Holandës, Shkëlqesia e Saj Ozlem Canel u shpreh e lumtur për prezencën e saj në Universitetin e Tetovës dhe theksoi se universitetet e Holandës ofrojnë një gamë të gjerë mundësish për studime dhe kërkime dhe se pa dyshim nuk mungon gatishmëria për të mbështetur projekte të cilat i ndihmojnë studentët të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme.
Pas takimit me Rektorin, Ambasadorja Canel mori pjesë në ngjarjen me temë” NextGen Career Talk “aktivitet ky që u zhvillua në kuadër të një projekti të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Në këtë bashkëbisedim morën pjesë studentë, profesorë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, të cilët ndanë përvoja dhe ide mbi zhvillimin profesional dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë.