Site icon Tetova Expres

Dr.Zekirja Shahini: U godita në pabesi, nuk kam armiqësi politike me askënd

Kandidati për bartës i listës së këshilltarëve në Komunën e Likovës nga AKI, dr. Zekirja Shahini, ka reaguar për herë të parë pas sulmit të armatosur ndaj tij, duke e cilësuar ngjarjen si “goditje në pabesi” nga persona të maskuar. Nëpërmjet një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Shahini ka dërguar mesazh qetësues për familjarët, miqtë dhe qytetarët, duke bërë apel që rasti të mos politizohet.

“Të nderuar familjarë, miq e shokë, dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen apo nderin – për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin”, ka shkruar Shahini.

Ai theksoi se megjithëse jemi në periudhë fushate zgjedhore, nuk dëshiron që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. “Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Në fund të reagimit të tij, Shahini falënderoi të gjithë ata që i kanë treguar kujdes dhe përkrahje pas ngjarjes. “Aktualisht, për shkak të gjendjes sime psikofizike, nuk mund të pranoj vizita. Edhe njëherë, ju falënderoj nga zemra secilin veç e veç për kujdesin, respektin dhe përkrahjen që më keni treguar. InshaAllah shihemi së shpejti, më të fortë se kurrë”, përfundon statusi i tij.

Exit mobile version