Shtetasi i Maqedonisë, 21-vjeçari Martin Sipkovski, ka humbur jetën në shpërthimin që ndodhi më 1 tetor në një banesë në rrugën “Kosovska” në Beograd, përcjell TV21. Sipas mediave beogradase, ai kishte me vete rreth një kilogram e gjysmë eksploziv “Pentrik”, i cili e shpërtheu banesën e marrë me qira. Identiteti i tij është konfirmuar pas analizës së ADN-së dhe shkëmbimit të informacioneve midis policisë serbe dhe asaj të Maqedonisë.
Hetuesit kanë konstatuar se eksplozivi ishte i destinuar për likuidimin e anëtarëve të një grupi kriminal nga Novi Beogradi, ndërsa 26-vjeçari Filip V. është arrestuar nën dyshimin se ia kishte dorëzuar eksplozivin. Nga detonimi janë shkatërruar plotësisht tre banesa në ndërtesë. Sipkovski më herët ishte i njohur për policinë e Maqedonisë, ndërsa në publik përmendej si ish-hendbollist dhe model që studionte biznes dhe menaxhim në Shkup.