Site icon Tetova Expres

“Vendoseshin burra e gra në një dhomë dhe u jepeshin ushqime me afat të skaduar”, paraburgim për pronaret e shtëpive të të moshuarve në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal ndaj N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”, përcjell TV21. Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive. Të dy institucionet janë mbyllur, ndërsa në bashkëpunim me organet shtetërore kompetente është siguruar strehim i përshtatshëm për të gjithë banorët.

“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë brenda kufijve të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne. Përveç kësaj, kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion pune të rregullt dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime të qarta për ushqimet e shpërndara, siç kërkohej nga rregullat për funksionim dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të konsiderueshme parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet. Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje mendore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, e akuzuara e parë kishte strehuar 27 persona të moshuar në shtëpinë në Butel, por kishte leje vetëm për 21, ndërsa bashkë me të akuzuarën e dytë, në objektin në Qendrës kishin strehuar 33 persona, ndonëse leja ishte për 17.

“Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhomat kishin strehuar bashkë burra dhe gra. Nuk kishte shtretër të mjaftueshëm për të gjithë, ndaj disa persona flinin në divane në dhomën e ditës ose nga dy veta në një shtrat të vetëm. Banorëve u shërbeheshin ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra ushqimi dhe materiale që vijnë në kontakt me ushqimin Disa banorë ishin mbyllur në dhoma të veçanta, ndërsa të tjerëve u jepej terapi me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku”, shtojnë nga MPB.

Advertisement
Nga Prokuroria Themelore thonë se prokurori publik ka dorëzuar tek gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarave për trajtim jo-human, të ashpër, degradues, çnjerëzor dhe poshtërues ndaj personave të moshuar, për të cilët familjet kishin paguar për shërbime jashtë familjes. Propozimi është pranuar dhe ndaj të dyshuarave është caktuar masa e paraburgimit.

Exit mobile version