Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për herë të dytë ka shkelur në tokën e Kosovës, një vend me të cilin është thellësisht i lidhur dhe i familjarizuar. Kjo lidhje daton që nga 13 maji i vitit 2016, kur në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s, Kosova u pranua në këtë organizatë prestigjioze të futbollit botëror.
Kësaj radhe, vizita e Infantinos kishte karakter nderi, pasi ai u dekorua me “Medalje Presidenciale të Meritave” nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kreu i FIFA-s u prit ngrohtësisht nga presidenti Agim Ademi, bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe një grup fëmijësh të programit “Grassroots”.
Gjatë pritjes, presidenti Ademi e cilësoi Kosovën si shtëpinë e Infantinos, ndërsa ky i fundit theksoi se ndjehet vërtet si në shtëpi, duke shtuar se populli i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, gëzon simpati dhe respekt të veçantë prej tij.
I pari i FFK-së i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që FIFA dhe personalisht Infantino i kanë dhënë futbollit kosovar ndër vite.
Në ceremoninë solemne të mbajtur në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zv/presidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ambasadorë të akredituar në Kosovë, futbollistë të Kombëtares, legjenda të futbollit, gjenerata e sakrificës dhe drejtues të klubeve, Infantino u shpreh thellësisht i nderuar dhe i emocionuar për këtë vlerësim.
Presidentja Osmani në fjalën e saj theksoi se futbolli ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve që nga koha e luftës së vitit 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë një familje e madhe kombesh. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike, sepse u ka mundësuar lojtarëve tanë ta bartin me krenari flamurin tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo, duke e cilësuar Infantinon mik të vërtetë të futbollit dhe të Kosovës.
Në fjalën e tij, pasi u dekorua me medalje, Infantino u shpreh mirënjohës për dekoratën dhe kujtoi momentet e para të përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit.
“Që nga dita kur u zgjodha president i FIFA-s, e dija se Kosova duhej të bëhej pjesë e familjes sonë. Përkushtimi i këtij vendi për futbollin ishte i jashtëzakonshëm. Futbolli bashkon popujt, i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë për të ardhmen e tyre”, deklaroi ai.
Infantino më pas e ftoi në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës, duke inkurajuar të gjithë të besojnë dhe të investojnë në brezat e rinj të futbollistëve.
Gjatë ceremonisë, si Osmani, ashtu edhe Infantino, përmendën me respekt të veçantë ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili luajti rol kyç në afirmimin e futbollit të Kosovës në skenën evropiane e botërore.
“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. E kam takuar shpesh Fadilin dhe që në ato takime të para e kuptova forcën, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës për të arritur qëllimet e veta”, shtoi Infantino.
Kjo është vizita e dytë e presidentit Infantino në Kosovë, pas asaj të shtatorit 2022, kur u takua me krerët më të lartë të shtetit.