Dera e shtëpisë private për të moshuar “Aktiv” në Qendër të Shkupit është e mbyllur, pas hetimit të Prokurorisë për shpërdorim dhe keqtrajtim të banorëve.
Pëllumbat që kanë vërshuar ballkonin, janë mysafirët e vetëm të cilët sot thyejnë heshtjen në këtë objekt, brenda të të cilit sipas organit të akuzës është dashur të akomodohen 17 persona, por pronarja në mënyrë të paligjshme ka vendosur 33, në madje duke shkelur çdo rregull, i ka futur në dhoma të përbashkëta edhe burrat edhe gratë. Se kushtet kanë qenë çnjerëzore, dëshmon edhe fakti që nuk ka pasur as krevate të mjaftueshme.
Kështu që, një pjesë kanë fjetur në divanet e dhomës së ndejës ose janë detyruar të flenë dy persona në krevat për një person.
Alsat, sot e vizitoi edhe shtëpinë tjetër private për të moshuar, e cila është pjesë e hetimit, ku gjithashtu ka pasur mbingarkesë, respektivisht në vend 21, janë akomoduar 27 persona.
Sipas organit të akuzës, mbingarkesa është bërë për qëllime financiare, për çka të arrestuarat N.J. 47-vjeçare T.I. 58-vjeçare nga Shkupi, kanë përfituar në nivel mujor 36.000 euro.
Krahas kësaj, Prokuroria ka siguruar edhe prova se të arrestuara kanë kryer dhunë psikike dhe fizike ndaj banorëve me qëllim që t’u shkaktojnë dhimbje fizike dhe shpirtërore, gjegjësisht vuajtje dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Ndërkohë, familjarët që takuam sot ishin të habitur dhe të painformuar lidhur me atë çfarë ka ndodhur.
Derisa po i tërhiqnin familjarët e tyre nga shtëpia e të moshuarve në Butel, ata shprehën revoltën pse institucionet nuk i kanë njoftuar me kohë për situatën e krijuar.
“Nga Ministria çfarë ju thanë? Asgjë nuk na thanë. T’i merrni menjëherë, atë na thanë. Tani, ku do t’i dërgoni? Tani në shtëpi tjetër do të shkojmë.
Nga policia, a ju kanë kontaktuar diçka? Nga Prokuroria? Jo. Vetëm na lajmëruan nga Ministria e Punës dhe Sociales që t’i marrim”, tha një familjar.
Një pjesë e banorëve kanë qenë të mbyllur në hapësira të veçanta, ndërsa disave u është dhënë terapi me barna të cilat nuk kanë qenë të shkruara nga mjeku.
Për të mos mjaftuar kjo, banorëve nuk u janë dhënë katër shujta në ditë, siç parashikon rregullorja, ndërsa u është shërbyer ushqim me afat të skaduar.
Plotësisht, shtëpitë private të të moshuarve nuk kanë mbajtur evidencë të rregullt për shfrytëzuesit e shërbimit social, nuk kanë poseduar dosje me dokumentacion profesional, nuk kanë mbajtur llogari për mirëmbajtjen e higjienës, nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të kuadrove profesional, ndërsa kanë pasur të punësuar persona pa dokumentacion përkatës.
Por pavarësisht provave të siguruara nga inspektimi i jashtëzakonshëm, të cilat i kanë konfirmuar Policia dhe Prokuroria, nga biseda që zhvilluam me njërën prej të punësuarve në shtëpinë private të Butelit, thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“A ka të vërtetë prej kësaj… Kurrgjë s’ka, vetëm rrena janë. Unë po të them. Thonë që janë keqtrajtuar banorët. Kurrgjë s’ka. Veç spiunë janë. Për çfarë arsye atëherë janë hapur hetimet? Nuk e di unë”. /Alsat.mk