Site icon Tetova Expres

Shpërthim vdekjeprurës në një fabrikë të eksplozivëve në SHBA

Disa persona kanë vdekur ose konsiderohen të zhdukur pas një shpërthimi në një fabrikë të ushtrisë amerikane më 10 tetor, thanë zyrtarët.

Në vendin e ngjarjes janë parë ekipe të shumta të emergjencave, teksa publikut i është bërë thirrje që të shmangë këtë zonë.

Ndërkaq, sipas pamjeve nga ajri që janë shfaqur nga mediat amerikane treguan se ende dilte tym nga vendi ku ndodhi shpërthimi në qarkun Hikman, Tenesi.

“Mund të konfirmojmë se ka ndodhur një shpërthim në Accurate Energetic Systems në zonën e Buksnortit”, tha policia lokale përmes një postimi në Facebook.

“Ekipet e emergjencave aktualisht janë në vendngjarje dhe po punojnë për të adresuar situatën”, shtoi policia.

Advertisement

Zyra e kryetarit të qarkut Hikman tha për AFP-në se nuk mund të konfirmojnë se ka viktima apo shkakun e shpërthimit.

Por, sherifi i qarkut Hamfris, Chris Davis, raportoi për “disa” viktima dhe shtoi se disa persona konsiderohen të zhdukur pas “shpërthimit shumë shkatërrues” që përfshiu një ndërtesë të tërë në këtë fabrikë.

“Kemi disa persona që aktualisht nuk dihet se ku ndodhen. Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm ndaj familjeve”, tha Davis për gazetarët.

Davis tha se autoritetet e kanë rrethuar zonën, por paralajmëroi se mund të ketë shpërthime të tjera më të vogla në fabrikë.

Accurate Energetic Systems është një prodhues i eksplozivëve i themeluar më 1980.

Advertisement

Sipas faqes në Facebook të kësaj kompanie thuhet se ajo prodhon “përbërës të ndryshëm shpërthyes me fuqi të lartë dhe produkte të posaçme” për Departamentin amerikan të Mbrojtjes, por edhe për tregjet industriale amerikane./www.evropaelire.org/

Exit mobile version