Ende asnjë i dyshuar apo arrestuar për vjedhjen spektakolare në një artari në Gostivar. Hajnat për një kohë të shkurtër, me armë në duar dhe të maskuar kryen grabitjen si nëpër filma.
Atmosferë grabitja disa sekonda
Në pamje dukeshin 4 vetë, të cilët pas grabitjes u arratisën me shpejtësi të madhe me një makinë të llojit BMW.
Atmosferë arratisja disa sekonda
Menjëherë pas largimit të tyre nga vendi i krimit, rrugës për në Mavrovë u gjet makina e përfshirë në flakë. Prokuroria thotë se po ndërmerr të gjitha masat për zbulimin e vjedhësve. Ndërkohë sipas Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë vlera e dëmit të shkaktuar arrin në rreth 1.8 milion. Grabitësit kanë arritur të marrin me vete 18 kilogramë flori.
“Në një artari, pronë e personit S.Zh, nga Gostivari, është kryer një vjedhje, gjatë të cilës janë marrë rreth 18 kilogram ar, në vlerë prej 1.8 milion euro. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për gjetjen e personave që kanë qenë të maskuar, kështu që gjatë marrjes së masave në rrugën rajonale Gostivar Mavrovë, 500 metra pas kryqëzimit në Mavrovë, është gjetur një veturë e përfshirë në flakë, me çka nga NJTKZ Gostivar, është lokalizuar zjarri dhe është konstatuar se bëhet fjalë për automjetin BMW, pa targa e që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. Gjatë inspektimit në vendngjarje, në automjet është gjetur një pushkë automatike”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Policia thotë se po punohet për gjetjen dhe kapjen e autorëve. Vjedhja në artarinë në Gostivar u krye mbrëmjen e kaluar rreth orës 19, në kohën kur në atë rrugë frekuentonin shumë qytetarë./Alsat.mk