Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka paraqitur para mediave projektet infrastrukturore që, siç tha, po e transformojnë qytetin në një qendër moderne dhe të lidhur.
Në një paraqitje nga terreni, Kasami theksoi se pushteti i mëparshëm e kishte shndërruar Tetovën në “katrahurë urbane”, me rrugë të dëmtuara, infrastrukturë të shkatërruar dhe mungesë të plotë vizioni urbanistik.
“Nuk ishin në gjendje një rrugicë ta bëjnë si duhet. Ju i dhatë fund asaj katrahure me votën tuaj për ndryshim, ndërsa ne ua kthyem me punë dhe përkushtim. Për çdo ditë po punohet intensivisht për transformimin e Tetovës”, deklaroi Kasami.
Ai tha se aktualisht po zhvillohen punimet për vazhdimin e bulevardit “VS Bato”, i cili do të lidhet me rrugën e Porojit te pompa e benzinës në fshat. Sipas tij, ky është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për rajonin.
“Gjatësia e këtij segmenti të bulevardit është 1.5 kilometra, me gjerësi prej 7 metrash, trotuar prej 2 metrash dhe ndriçim publik përgjatë gjithë trasesë. Në fillim dhe në fund të segmentit do të ndërtohen edhe dy rrethrrotullime. Ky mega-projekt lidh Poroji dhe Xhepçishtin me autostradën, duke e transformuar tërësisht këtë zonë”, u shpreh Kasami.
Kreu i Komunës dhe kandidati për një mandat të dytë theksoi se prioritet i tij mbetet infrastruktura moderne dhe lidhjet urbane që e bëjnë Tetovën një qytet funksional e të zhvilluar.
“Aty ku nuk ka as rrugë për këmbësorë, ne depërtojmë bulevarde. Në mandatin e parë, këtë e bëmë me depërtimin e një aksi të bulevardit Bllagoja Toska, një aksi të Boris Kidriçit dhe një aks tjetër të VS Batos. Në mandatin e ardhshëm, përveç që përfundojmë këtë aks drejt Porojit, do të ndërtojmë edhe një aks tjetër të këtij bulevardi drejt Qarkores së Treboshit”, tha Kasami.
Në vijim, ai paralajmëroi edhe katër mega-projekte të reja për zgjatjen e bulevardeve ekzistuese në qytet:
• Përfundimi i Bulevardit “Ilinden”, nga Posta deri te rrethrrotullimi te Stadiumi i Qytetit – projekt që, sipas Kasamit, “do të hapë zemrën e qytetit dhe do të lehtësojë qasjen drejt Drenovecit, Çentishtës dhe fshatrave të rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë”.
• Zgjatja e Bulevardit “Bllagoja Toska”, nga Stadiumi i Vjetër deri te rruga rajonale Tetovë-Jazhincë, si dhe nga Shkolla Tekstile deri te rrethrrotullimi me “Ilindenin”.
• Vazhdimi i Bulevardit “Boris Kidriç”, nga kryqëzimi me “Bllagoja Toska” deri te Stacioni i Autobusëve.
• Vazhdimi i Bulevardit “Ilinden”, nga rrethrrotullimi i UEJL-së deri te mbikalimi për në Gostivar.
“Kështu Tetova bëhet qytet modern, i lidhur dhe me rrugë bashkëkohore si asnjëherë më parë. Koha e rrugicave me gropa ka përfunduar. Tetova nuk kthehet më në atë kohë të zymtë. Tetova vazhdon përpara drejt zhvillimit – edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm në katërvjeçarin e ardhshëm”, përfundoi Kasami.