Site icon Tetova Expres

Përfaqësues të Universitetit të Tetovës realizuan vizita në universitetet e Suedisë dhe Sllovenisë

Në kuadër të projektit të IOM-it “Mbështetje e rikthimit të talenteve dhe angazhimit të diasporës në Maqedoninë e Veriut”, më 7 tetor 2025, një delegacion nga Universiteti i Tetovës (UT) realizoi një vizitë zyrtare në Swedish University of Agricultural Sciences (SLU) në Upsala.
Qëllimi i vizitës ishte njohja me praktikat më të mira ndërkombëtare në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe digjitalizimin, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndëruniversitar.

Pjesëmarrësit fillimisht vizituan bibliotekën universitare të SLU-së, u njohën me iniciativat e SLU Global, dhe zhvilluan aktivitete në Njësinë për Mësim dhe Digjitalizim (EPU).

Delegacioni i Universitetit të Tetovës përbëhej nga Prof. Dr. Kenan Ferati, kryetar i Senatit të UT-së, dhe Prof. Dr. Erhan Sulejmani, profesor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Ata morën pjesë në diskutime mbi mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkëmbime akademike.
Gjatë takimeve në SLU, palët u pajtuan që në të ardhmen të organizohen kurse të përbashkëta ndërmjet Universitetit Bujqësor të Upsala-së dhe Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore të UT-së.

Më 9 tetor, delegacioni vazhdoi vizitën në Universitetin e Lublanës, ku u prit nga përfaqësues të rektoratit dhe institucioneve akademike sllovene. Programi përfshiu prezantime mbi politikat e ndërkombëtarizimit, mobilitetin e studentëve dhe zhvillimin e projekteve kërkimore.

Në Qendrën “Rog”, delegacioni u takua edhe me përfaqësues të diasporës akademike nga RMV në Slloveni, me të cilët diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit dhe nxitjen e rrjeteve profesionale. Në këtë aktivitet morën pjesë profesorë dhe studiues nga Universiteti i Lublanës dhe Instituti “Jožef Stefan”, të cilët ndanë përvoja dhe ide për projekte të ardhshme bashkëpunimi.

Advertisement

Këto vizita përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në shkëmbimin e dijes, inovacionit dhe zhvillimin e përbashkët shkencor.

Exit mobile version