Në vazhdën e fushatës zgjedhore në rrjetet sociale po publikohen audio-incizime në të cilat pretendohet se dëgjohet kreu i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili njëkohësisht është edhe në garë zgjedhore për mandat të ri. Përgjimet po publikohen nga profili me emër “El Cheka” apo pseudonimi i personit Sheqerim Ahmeti, i cili edhe paraprakisht ka publikuar materiale të përgjuara për funksionarë të tjerë. Sipas përshkrimit të publikimeve, Dehari dëgjohet duke përdorur fjalor të papërshtatshëm dhe eksplicit me disa të punësuar të komunës, ndërsa sipas materialeve të publikuara thuhet se është i përfshirë në shpërdorime financiare. Nuk ka informacione se të cilës periudhë kohore janë bisedat dhe për momentin nuk mund të konfirmohet autenticiteti i tyre. Për publikimin e këtyre audioincizimeve reaguan nga VMRO-DPMNE. Deputetja Emilija Angellova thekson që biseda e këtyre përgjimeve është skandaloze për çka kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Deharit.
“Në media dolën audioincizime në të cilat dëgjohet se si Fatmir Dehari në vend që të jetë kryetar dhe të përdorë Komunën e Kërçovës në të mirë të qytetarëve, ai seksualisht i keqtrajton të punësuarit. Në audioincizimet dëgjohet se si gratë e punësuara në Komunën e Kërçovës janë të detyruara ta puthin kryetarin Dehari dhe me neveri të madhe të thonë se i ulen në prehër. Ky është skandal dhe abuzim ndaj tërë kolektivit dhe të gjitha grave. Dehari patjetër duhet të jep dorëheqje të parevokueshme dhe të tërhiqet nga politika”, deklaroi Emilija Angellova, Deputete e VMRO-DPMNE-së.
Lidhur me përgjimin, reaguan nga BDI-ja apo partia të cilës i përket Dehari. Sipas integristëve bisedat janë manipulime dhe të montuara.
“Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga Koalicioni VLEN, theksojnë që me këto biseda degradohet imazhi i institucionit dhe moralit publik. Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit. Kërçova nuk do të bjerë në këtë grackë. Qytetarët tanë janë të mençur, dinë të dallojnë propagandën e fabrikuar nga realiteti.
“VLEN ndjek me shqetësim skandalin e fundit që qarkullon në rrjetet sociale dhe që ka tronditur opinionin publik si në Kërçovë ashtu edhe më gjerë, ku kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim shihet në situata që e degradojnë imazhin e institucionit dhe moralin publik. Ky është vetëm reflektim i kulturës politike që për 20 vite ka mbytur përgjegjësinë dhe ka ngritur turpin në standard. Ne nuk gëzohemi për turpin e askujt, por kemi detyrim të themi qartë se Kërçova meriton më mirë”, thonë nga VLEN.
Alsat kërkoi qëndrim edhe nga vetë Fatmir Dehari, por në të dy numrat e kontaktuar, dilte se numri nuk ekziston. /Alsat.mk