VMRO-DPMNE thotë se nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, ata do të fitonin mbi 60 deputetë. Nga kjo parti thonë se “qytetarët zgjodhën rrugën e zhvillimit dhe rritjes”.
“VMRO-DPMNE me 550 këshilltarë nëpër gjithë Maqedoninë dhe qytetin e Shkupit, si dhe me mbi 300 mijë vota, është fituese absolute e zgjedhjeve lokale. Sipas modelit të D’Hondt-it, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje parlamentare, me këto vota VMRO-DPMNE do të kishte mbi 60 deputetë, ndërsa LSDM në disa njësi zgjedhore do të ishte parti e tretë”.
“Populli e ndëshkoi LSDM-në, e cila në disa vende të shtetit, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, doli e treta, e katërta, madje edhe e pesta sipas numrit të votave të fituara. Koha e punës, përgjegjësisë dhe rezultateve vazhdon – falënderim për të gjithë ata që bënë zgjedhjen e duhur”.
“Në këto zgjedhje,VMRO-DPMNE fitoi 12.000 vota më shumë se në vitin 2021, ndërsa LSDM pësoi një humbje prej 111.000 votash. Kjo humbje, sipas partisë, e pasqyron më së miri mosbesimin e qytetarëve ndaj politikave të gabuara, qeverisjes së paaftë dhe kuadrove joprofesionale të LSDM-së”, thonë nga VMRO-DPMNE .
