“Shkarkimet nga puna bazohen në nenin 210 të Kodit Penal, pra, nuk kryen, kryen me neglizhencë dhe jo në kohë detyrimet e punës”, thanë nga Ministria e Brendshme.
Nga SPB Tetovë për Alsat konfirmuan se Kontrolli i Brendshëm po kryen hetime ndaj disa inspektorëve dhe policëve që kanë keqpërdorur një shtetase të Bosnjës.
“Rasti është evidentuar në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës dhe për këtë rast, hetimet i kryen Kontrolli i Brendshëm për hetime kriminalistike dhe standarde profesionale”, tha zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Kujtojmë që së fundmi Portalb.mk raportoi për rastin ku djali i një inspektori të antidrogës u kap me drogë, ku më pas inspektori së bashku me një koleg tjetër tentuan të pengojnë drejtësinë, për çka u larguan nga puna.
Ndryshe, sipas Raportit vjetor për vitin 2024 i MPB-së, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standardet Profesionale në Ministrinë e Brendshme të RMV-së hetoi 1.366 raste të sjelljes së paligjshme dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, që paraqet rritje prej mbi 10% krahasuar me vitin paraprak.
Po ashtu, u ngritën 37 kallëzime penale kundër 90 punonjësve të MPB-së për 42 vepra penale, kryesisht për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “pakujdesi në detyrë”.
Në pamje të parë, kjo tregon veprimtari të shtuar hetimore dhe përgjegjësi institucionale, por nëse i japim një vështrim kritik, kjo ngre dilema të rëndësishme nëse ky trend tregon rritje të profesionalizmit dhe transparencës, apo rritje të shkeljeve të brendshme dhe mungesë të kontrollit parandalues.
