Përkrahja e madhe që morëm më 19 tetor e dëshmoi se Tetova është në rrugë të drejtë, Tetova po ndryshon, po transformohet dhe po zhvillohet.
Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm.
Këtë vlerësim, ne ua kthejmë edhe me më shumë punë.
Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2.
Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane.
Të dashur qytetarë të Tetovës,
Tetova e meriton këtë transformim. Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit.
