Sërish alarm për bombë. Në shënjestër 47 shkolla në Shkup dhe Kumanovë. Kërcënimet për bombë kanë arritur në e-mailet e shkollave. Në to shkruante se ato do të aktivizoheshin mëngjesin e sotëm. Në mesin e shkollave të kërcënuara ishte edhe shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Çair. Policia ka kryer kontrollin mëngjesin e sotëm para se të fillonte mësimi, duke hequr të gjitha dyshimet për ekzistencën e bombës, andaj nxënësit më pas kanë zhvilluar mësimin pa problem. Policia ka kryer kontroll në kohë edhe në shkollat e tjera të alarmuara, duke konstatuar se shqetësimet kanë qenë të rreme.
“Në SPB-Shkup dhe SPB-Kumanovë dje rreth orës 18:00 është denoncuar se në e-mail adresat e 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë, kanë arritur mesazhe për pajisje eksplozive të vendosura në shkolla. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të nevojshme, janë kryer kontrolle dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për denoncime të rreme.”, njoftojnë nga MPB-ja.
Ekspertët e sigurisë konsiderojnë se Agjencia për Siguri Kombëtare, shërbimet sekrete, por edhe Ministria e Brendshme do të duhet të rrisin efikasitetin duke lokalizuar vendet nga vijnë paralajmërimet elektronike për bomba dhe nga kush vijnë ato, kanë prapavijë politike, vijnë nga nxënës apo janë nga qendra të huaja sekrete.
“Strukturat kriminale, gjithmonë në vend të parë venë interesin, qoftë ai financiar, politik, social apo ndonjë interes tjetër i atyre grupeve të organizuara kriminale. Andaj nuk përjashtohet mundësia që nga lindja, perëndimi, veriu apo jugu ka ndikim të shërbimeve sekrete të huaja të cilat veprojnë në këtë zonë.”, – theksoi eksperti i sigurisë, Lubomir Gjurçevski.
Kërcënimet e rreme për bomba të vendosura në shkolla po përsëriten nga fundi i vitit 2022, sikurse në shkolla fillore, por edhe të mesme.MERAL ISMAILI
	
