Sipas njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ), në disa komuna nuk është arritur pjesëmarrja e nevojshme prej të paktën një të tretës (33.33%) të votuesve të regjistruar, që është kusht për vlefshmërinë e zgjedhjeve sipas Kodit Zgjedhor.
Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja ka qenë: në Gostivar – 33.31%, në Vrapçisht – 25.18%, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31%,në Qendër Zhupë – 21.49%.
Meqë asnjë nga këto komuna nuk e ka arritur pragun ligjor të pjesëmarrjes, procesi zgjedhor do të përsëritet plotësisht.
Sipas nenit 132, paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor, nëse në raundin e parë nuk dalin në votime të paktën një e treta e votuesve të regjistruar, zgjedhjet duhet të përsëriten.
Po ashtu, neni 132-a parashikon që zgjedhjet e përsëritura të mbahen brenda 60 ditëve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, ndërsa në raundin e përsëritur nuk vlen më kushti për pjesëmarrje minimale.
Kjo do të thotë se raundi i parë në këto katër komuna do të zhvillohet sërish gjatë dy muajve të ardhshëm, ndërsa më pas, nëse është e nevojshme, do të mbahet edhe raundi i dytë.
