Site icon Tetova Expres

Sela: Krekosja e këtij pushteti me njësi speciale nuk na frikëson! I reagon edhe VLEN

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela mbrëmë përmes një statusi në Facebook reagoi ndaj videove të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohej se ai ishte ndaluar nga Policia.
Sipas tij, këto tentime nuk do ta frikësojnë as atë e as Struganët që të dielën të votohet për Arsim Dalipin.
“Faleminderit të gjithë miqve për interesimin, shqetësimin dhe solidarizimin. Krekosja e këtij pushteti me njësi speciale, me maska e pa maska, nuk mund të na frikësojë as neve, as struganët, e as shqiptarët kudo që janë. Tentime të kota e qyqare që vetëm kanë shqetësuar dashamirët. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve për solidarizimin dhe mbështetjen. Vazhdojmë përpara, të palëkundshëm dhe stoikë në misionin tonë. Keqardhje për ata që shpresojnë se me metoda të tilla mund të kthejnë diçka Bashkë në fitoren e 2 Nëntorit, Bashkë për dr. Arsim Dalipi”, ka shkruar Sela.
Pas reagimit të Selës, kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN, të cilët thonë se tentimet për të krijuar situatë në Strugë, ku, sipas tyre, nuk ka dhe as mund të ketë, janë dëshpëruese.
“Çdo përpjekje për ta lidhur koalicionin VLEN apo kandidatin që përkrahim, Mendi Qyrën, me çfarëdo tensioni të stisur, është e pavërtetë dhe jashtë çdo logjike politike. Pse do të duhej të krijonte tensione koalicioni apo kandidati që është favorit për të fituar zgjedhjet e 2 nëntorit? Logjika politike është e thjeshtë, ai që është në dëshpërim, tenton të krijojë situata të paqena për të paraqitur veten si viktimë në sytë e elektoratit një strategji që i shkon në favor kandidatit të Zijadin Selës dhe LEVICËS, Arsim Dalipit. I tërë opinioni publik e di se bashkëpunimi mes AKI-së dhe LEVICËS është evident, si në Tetovë, ashtu edhe në Strugë. Prandaj, këto përpjekje për të krijuar konfuzion janë të kota, të tejdukshme dhe dëshpëruese”, thonë nga VLEN.

Exit mobile version