Site icon Tetova Expres

KSHZ: Votimi për të sëmurët dhe të burgosurit po zhvillohet pa pengesa

Votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, për personat në paraburgim dhe në burgje, si edhe për qytetarët e vendosur në institucione të kujdesit social, po zhvillohet pa pengesa në të gjitha komunat ku nesër do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, njofton Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

“Votimi ka filluar sot në orën 7 të mëngjesit dhe po zhvillohet pa pengesa në të gjitha komunat dhe në Qytetin e Shkupit,” thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

Sipas të dhënave zyrtare, sot të drejtën e votës e ushtrojnë 4.826 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, 1.256 persona në 14 institucione ndëshkimore-korrektuese dhe 214 qytetarë të vendosur në 13 qendra të kujdesit social.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, që do të zhvillohet nesër, do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë komunalë.

Të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.

Advertisement
Exit mobile version