Site icon Tetova Expres

Fitorja e VMRO-së në zgjedhjet lokale si do të ndikojë në harmonin bashkëpunuese në pushtetin qendror

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar një kthesë të rëndësishme në skenën politike të vendit. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka arritur një fitore bindëse, duke siguruar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Kjo fitore jo vetëm që e konsolidon VMRO-në si forcën kryesore në politikën e vendit, por gjithashtu tregon për një zhvendosje të ndjeshme në balancën e pushtetit lokal, e cila pritet të reflektohet edhe në nivel qendror.

Zgjedhjet lokale përfunduar me këtë pasqyrë – 

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka arritur një fitore bindëse, duke siguruar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Kjo fitore vulos pushtetin absolut të kësaj partie në nivel vendi, por fitoret e jashtëzakonshme hapin debat mbi pasojat apo përparësitë. Në këtë drejtim ngritet një dilemë e madhe sesi do të ndikojë kjo fitore e VMRO-së në harmonin bashkëpunuese në pushtetin qendror.

Pas VMRO-së, koalicioni shqiptar VLEN është renditur i dyti me nëntë komuna të fituara pesë në raundin e parë dhe katër në të dytin duke u shndërruar kështu në subjektin e dytë më të rëndësishëm politik pas këtyre zgjedhjeve. LSDM, që deri dje mbante peshën kryesore të qeverisjes, ka rrëshqitur në vendin e tretë me vetëm gjashtë komuna, ndërsa koalicioni AKI ka arritur të sigurojë katër komuna. Fitorja e Mendi Qyrës në Strugë nën mbështetjen e VLEN-it, suksesi i kandidatit të ZNAM-it në Kumanovë dhe i Unionit të Romëve në Shuto Orizarë, dëshmojnë për një fragmentim të peizazhit politik lokal, ku vota e qytetarëve është shpërndarë në disa drejtime të reja.

Ndërkohë, në disa komuna Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë zgjedhjet kanë dështuar për shkak të mungesës së censusit, duke ngritur shqetësime për nivelin e ulët të daljes në votim. Sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, nga 994,672 votues të regjistruar, kanë votuar 415,435 qytetarë, që përbën vetëm 41.76 për qind të trupit elektoral në nivel shtetëror një shifër që reflekton lodhje politike dhe mosbesim ndaj sistemit.

Advertisement

Çfarë do të thotë fitorja e VMRO-DPMNE-së për partnerët qeveritarë?

Fitorja e gjerë e VMRO-DPMNE-së mund të shihet në dy dimensione si shpresë për stabilitet politik dhe si paralajmërim për rishikim të raporteve të forcave brenda koalicionit qeveritar. Nga njëra anë, rezultati tregon se VMRO ka rikthyer besimin e elektoratit maqedonas pas disa viteve në opozitë dhe pas krizave të brendshme që e karakterizuan periudhën pas qeverisjes së Gruevskit. Një parti e konsoliduar, me bazë të fortë në pushtetin lokal, mund të ofrojë stabilitet institucional dhe përgatitje më të mirë për zgjedhjet parlamentare të ardhshme.

Por nga ana tjetër, kjo fitore e thellë përbën edhe një burim frike për partnerët e saj qeveritarë, veçanërisht për subjektet shqiptare si VLEN. Sa më e fuqishme të bëhet VMRO në terren, aq më e vogël bëhet varësia e saj nga aleatët e koalicionit në nivel qendror. Kjo mund të nënkuptojë një qasje më të njëanshme në vendimmarrje, një negocim më të vështirë për partnerët dhe një zhvendosje të fokusit politik drejt interesave maqedonase. Në të njëjtën kohë, për LSDM-në dhe AKI-në, humbja është sinjal i qartë i rënies së ndikimit dhe nevojës për ristrukturim të brendshëm.

Pra, fitorja e VMRO-së është një mesazh i dyfishtë përkrahësit e saj e shohin si shpresë për ringritjen e “rendit dhe dinjitetit shtetëror”, ndërsa partnerët e saj potencialë e perceptojnë si paralajmërim për një fazë të re politike, ku hapësira për kompromis mund të ngushtohet ndjeshëm. Në këtë kuadër, mbetet për t’u parë nëse kjo fitore do të shërbejë si katalizator për stabilitet, apo si pikënisje e një rivaliteti të ri politik që mund të tronditë ekuilibrat e tanishëm të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk

Advertisement
Exit mobile version