Site icon Tetova Expres

Gashi: Ligji i vetëqeverisjes lokale varet nga vullneti i partive politike – Presidentja del me një propozim të ri për kufizimin e mandatit të kryetarëve të komunave në vetëm dy mandate

Ligji për vetëqeverisje lokale që nuk arriti të votohet përpara këtyre zgjedhjeve për shkak të mungesës së badinterit, sipas kryeparlamentarit, përsëri do të kthehen në tryezë të diskutimit. Por Afrim Gashi nuk mund të thotë nëse ky ligj do të hyjë në fuqi nga zgjedhjet e ardhshme lokale, duke nënvizuar se fati i të njëjtit varet nga vullneti i partive politike.

“Ligji për vetëqeverisje lokale, varet nga vullneti i partive politike, nëse ka vullnet, ka mundësi që menjëherë ta dorëzojmë dhe ta sjellim, por prapë këtë muaj do të shihet të bëhet edhe rikonstruimi i Qeverisë, t’i shohim ndryshimet e ministrave”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Në versionin draft të këtij ligji, parashihet mundësia që qytetarët përmes një referendumi, të mund të shkarkojnë edhe kryetarët e komunave nëse nuk janë të kënaqur nga puna e tyre.

Në ligj parashikohet poashtu edhe policia komunale, respektivisht inspektorë të angazhuar për mirëmbajtjen e higjienës nëpër komuna dhe mundësinë për shqiptim të gjobave, nëse qytetarët kapen teksa hedhin mbeturina inerte në hapësira publike. Ligji mbeti në labirintet e Kuvendit, si pasojë e mungesës së shumicës së badinterit, pasi nuk mbështetet nga deputetët e Frontit Evropian.

Por derisa ligji mbetet i bllokuar, presidentja Gordana Siljanovska Davkova, del me një propozim të ri. Ajo propozon që të mendohet mundësia për kufizimin e mandatit të kryetarëve të komunave në vetëm dy mandate.

Advertisement

“Duhet të mendojmë nëse duhet që në zgjedhjet lokale të ekzistojë mundësia për vetëm dy mandate për kryetarët e komunës. Nëse ka një kufi në sistemet parlamentare, te presidentët me funksione ceremoniale, atëherë për të qenë e sinqertë, sistemi ynë i vetëqeverisjes lokale kualifikohet si kuazi-presidencial, me kompetenca shumë të forta për kryetarët e komunave. Prandaj ndodh diçka që është e pazakontë, ministrat ose deputetët vendosin të kandidojnë për kryetar komunash”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e RMV-së.

Një problem shtesë, sipas saj, është edhe mungesa e një autoriteti tjetër ekzekutiv, përskaj kryetarit të komunës, në kuptimin e qeverisjes lokale, në formën e një bordi ekzekutiv, këshilli ekzekutiv ose organeve të shumëfishta ekzekutive. Sipas saj, kjo mungesë, nënkupton një përqendrim të fortë të pushtetit te një kryetari komune./ Alsat.mk

Exit mobile version