Site icon Tetova Expres

Koalicioni VLEN: Zgjedhjet lokale vulosën një realitet të ri politik në Maqedoninë e Veriut

Koalicioni VLEN del nga ky proces si forca e dytë politike në nivel shteti, me 10 komuna të fituara, dhe si fituesi absolut në kampin shqiptar.
Rezultatet janë të qarta, por mesazhi i qytetarëve është edhe më i qartë. Epoka e politikës së vjetër ka përfunduar.
Në këto zgjedhje, qytetarët votuan për punë, për përgjegjësi dhe për politikë që jep rezultate. Ata i dhanë mbështetje vizionit të VLEN-it për zhvillim lokal, dhe për një standard të ri qeverisjeje  të bazuar në ndershmëri dhe efikasitet.
Në Tetovë, fitoi puna, integriteti dhe vizioni i Bilall Kasamit, që e ktheu qytetin në simbol të ndryshimit dhe të menaxhimit me përgjegjësi.
Në Bogovinë, qytetarët i dhanë besimin Feti Abazit, arkitektit që me dije dhe përkushtim do ta rigjallërojë komunën.
Në Tearcë, pas 20 vitesh pushtet të pandryshuar, erdhi ndryshimi i shumëpritur qytetarët i dhanë besimin Daut Memishit. Vetë ky fakt është një sukses i jashtëzakonshëm. Në Çairin e Izet Mexhitit, aty ku BDI tentoi ta shndërrojë garën në “referendum për mbijetesë”, çairasit thanë qartë Jo! Komuna nuk është trampolinë për shpëtimin e askujt.
Ndërsa në Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Dibër, Strugë dhe Dollnen, qytetarët e vulosën ndryshimin, duke e bërë VLEN-in forcen që bashkon komunat nën një vizion të përbashkët për zhvillim dhe përgjegjësi.
Ky rezultat është më shumë se një fitore zgjedhore, është ndryshim epokal në përfaqësimin politik të shqiptarëve. Pas 23 vitesh dominim të një politike që u shkëput nga qytetari, shqiptarët zgjodhën një model të ri, politikën e përgjegjësisë.
VLEN e lexon këtë rezultat si fillim, Fillimin e një etape të re, ku do të qeveriset me standarde evropiane dhe me respekt të plotë për qytetarin.
Falënderim për të gjithë qytetarët që morën pjesë në këtë proces demokratik dhe për çdo aktivist që e mbrojti votën me dinjitet. VLEN do të vazhdojë të jetë garanci e stabilitetit politik dhe e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione.

Video:
https://www.swisstransfer.com/d/b5791e7b-b78f-4142-a3da-f8375a8bd3d1

Exit mobile version