Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje alarmante prej 116% në veprat penale “tentativë vrasjeje”, shumica me armë zjarri dhe të ndodhura në zonën e SPB Shkup. Krimet e dhunshme u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024, me një rritje prej 13.6% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 1,943 raste. Ndërkohë, vrasjet ranë me 13%, me gjithsej 20 raste, pesë prej të cilave lidhen me dhunën në familje. Edhe vetëvrasjet pësuan rënie prej 13.5%, me 83 raste, kryesisht te burrat mbi 30 vjeç. Në fushën e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, u regjistruan 241 raste, ku 36 persona humbën jetën dhe 59 u plagosën rëndë, më së shumti në SPB Tetovë. Këto të dhëna dalin nga raporti vjetor për vitin 2024 i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Tentim vrasjet shënuan rritje alarmante
Ajo që bie më shumë në sy është rritja alarmante e tentativave për vrasje, me 116% më shumë raste se vitin e kaluar, gjysma e tyre të kryera me armë zjarri dhe shumica në zonën e SPB Shkup.
“Një rritje e konsiderueshme prej mbi 116% këtë vit u regjistrua edhe në veprat penale të “tentativës së vrasjes”. U regjistruan gjithsej 52 vepra penale, gjysma e të cilave duke përdorur armë zjarri. Sipas vendndodhjes, shumica e tyre janë në zonën e SPB Shkup (25), dhjetë janë në zonën e SPB Tetovë, pesë në zonat e SPB Strumicë dhe SPB Kumanovë, tre në zonën e SPB Ohër, dy tentativa janë në zonën e SPB Manastir dhe nga një në zonat e SPB Veles dhe SPB Shtip. Është karakteristike se mbi 100% rritje është regjistruar në zonat e SPB Shkup, Tetovë, Ohër dhe Kumanovë. Sa i përket autorëve, janë marrë masa kundër 64 personave, gjashtë prej të cilëve janë fëmijë”, thuhet në raportin e MPB-së.
Vetëvrasje me shkaqe të panjohura për institucionet
Edhe vetëvrasjet shënuan ulje me 13.5%, me 83 raste, kryesisht te burrat mbi 30 vjeç. Ajo që bie në sy është fakti se në shumicën e rasteve, institucionet nuk kanë arritur të zbulojnë motivet e vërteta që çuan personat në këtë të ndërmarrin këtë akt.
“Numri i vetëvrasjeve shënoi një rënie prej 13.5%. Gjatë vitit 2024, u regjistruan gjithsej 83 (96) raste, nga të cilat numri më i madh ishte në zonën e SPB Shkup – 25, ku u regjistrua rritje prej mbi 56%, pasuar nga zonat e SPB Manastir me 15 vetëvrasje dhe SPB Shtip – 14, SPB Strumicë – 10 dhe në një masë më të vogël në zona të tjera”, thuhet në raport.
Shumica e vetëvrasjeve (59) këtë vit janë kryer nga burra kryesisht mbi moshën 30 vjeç, dhe tetë persona ishin midis moshës 18 dhe 30 vjeç. Në shumicën e rasteve, shkaqet e vërteta nuk janë përcaktuar plotësisht, por në një përqindje të konsiderueshme, çrregullimi nervor përmendet si motiv i vetëvrasjes. Sipas mënyrës së kryerjes së veprës penale, në 49 raste personat kryen vetëvrasje duke u varur, gjashtë persona përdorën armë zjarri, në 17 raste bëhej fjalë për kërcim nga lartësia, dhe në një numër më të vogël rastesh helmimi me substanca toksike dhe mbytje në ujë.
