AFRIKA- Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është zotuar të rivendosë rendin në vend, i cili është tronditur nga dhuna pas zgjedhjeve, ndërsa u betua për një mandat të tetë radhazi, deri në vitin 2032, kur do të jetë 99 vjeç. Sipas rezultateve përfundimtare, Biya fitoi 54% të votave, krahasuar me 35% për Issa Chiroma Bakari, i cili nga ana e tij akuzoi autoritetet për mashtrim.
Shpallja e rezultateve, siç raportohet nga BBC, çoi në protesta të përgjakshme në të gjithë vendin, me të paktën 14 të vdekur dhe më shumë se 1,200 të arrestuar, sipas Komisionit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut. Organe të tjera kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të vdekjeve.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, presidenti më i vjetër në botë shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e protestave dhe fajësoi për trazirat ata që i quajti “politikanë të papërgjegjshëm”. Pas akuzave për mashtrim gjatë zgjedhjeve të tetorit, Biya e përshkroi procesin zgjedhor si të kënaqshëm dhe vlerësoi autoritetin zgjedhor. 
Në inaugurimin e tij në parlamentin e vendit në Yaounde, Biya falënderoi forcat e sigurisë për shtypjen e protestave , por nuk iu referua akuzave për forcë të tepruar. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me të për të ndërtuar një vend “të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të begatë”.
92-vjeçari premtoi të prioritizonte çështjet që prekin gratë dhe të rinjtë dhe u zotua të luftonte korrupsionin dhe problemet e sigurisë. Biya mori pushtetin në nëntor 1982, pas dorëheqjes së Presidentit Ahmadou Ahijo. Kritikët e tij thonë se ai e ka qeverisur vendin me grusht të hekurt që atëherë./noa.al/
