Vendi i ri i monumentit nuk është zgjedhur rastësisht. Rrethrrotullimi i Gostilit është pika që lidh Rrugën e Kombit me aeroportin ndërkombëtar të Kukësit.
Kjo vepër e bukur është dhuratë nga biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani , bir i diasporës që me gjestet e tij e dëshmon se rrënjët nuk harrohen kurrë. Vepra, e cila është derdhur në çelik të rëndë, ka një lartësi prej 10 metrash, dhe përfaqëson një ndër simbolet më të njohura të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Shqiponja” u vendos fillimisht në vitin 2012 tek rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë, ku për gjashtë vite ishte një pikë referimi për kryeqytetin. Në vitin 2018 u hoq për shkak të punimeve të projektit të Unazës së Madhe.
Tani, monumenti simbolik i bashkimit dhe krenarisë kombëtare gjen shtëpinë e vet të re në Kukës, një qytet që vetë ka qenë simbol i qëndresës dhe mikpritjes shqiptare gjate luftës në Kosovë.
