Në testin e fundit para ndeshjes kualifikuese kundër Uellsit më 18 nëntor, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut mbrëmë barazoi me Letoninë 0-0, në duelin miqësor që u zhvillua në arenën ‘’Todor Proeski’’ në Shkup
Ndeshja miqësore në futboll midis përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut dhe Letonisë, e zhvilluar mbrëmë në arenën “Todor Proeski” në Shkup, përfundoi me barazim pa gola. Gjatë 90 minutave lojë të dy ekipet krijuan disa raste për të shënuar, me një dominim të lehtë të ekipit të Letonisë të cilët më tepër e posedonin topin, por pa konkretizime në gola.
Kjo ndeshje miqësore shërbeu si përgatitje për Maqedoninë e Veriut në prag të sfidave të mëdha.
Seleksionuesi Blagoja Milevski pas ndeshjes në press konferencën zyrtare u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve në aspektin taktik
“Gjithçka që vendosëm si qëllim për këtë ndeshje, përveç fitores, u përmbush. Doja të shihja se si do të dukej skuadra në një formacion të ri, me detyra të reja taktike dhe në situata që nuk i kemi punuar më parë. Nga kjo perspektivë, jam vërtet i kënaqur. Më vjen keq që kushtet e lojës nuk ishin më të mira. Shpresoj që së shpejti do të bëhen përpjekje për të luajtur në një fushë më cilësore, në mënyrë që të jemi më efikasë në finalizim. Në ato momente të fundit, në fazën e tretë të sulmit, kur kundërshtari është i vendosur në një bllok të dendur, nevojitet një pasim i saktë finalizues, dhe sot kundër Letonisë nuk e patëm atë. Pavarësisht kësaj, krijuam disa raste, por nuk arritëm t’i realizonim. Urime të dyja ekipeve, si Maqedonisë ashtu edhe Letonisë. Jam i kënaqur, të gjithë lojtarët, pavarësisht nëse janë lojtarë standardë apo vijnë nga stoli, e justifikuan besimin. Kjo më jep besim se mund të mbështetem te secili prej tyre“, tha trajneri Blagoja Milevski.
Më 18 nëntor, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në transfertë do të përballet me Uellsin në ndeshjen e fundit të grupit J, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Aktualisht Maqedonia e Veriut renditet në vendin e dytë të Grupit J me 13 pikë, pas Belgjikës me 14 pikë. Në vendin e tretë është Uellsi me 10 pikë, i ndjekur nga Kazakistani me 7 pikë dhe në fund Lihtenshtajni me asnjë pikë.

