Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” – Tetovë, të shtunën në ambientet e Komunës së Tetovës, realizoi me sukses edicionin e VIII-të të Manifestimit Mbarëkombëtar të Poezisë “Festat e Nëntorit”.
Shoqata e shkrimtareve Oeneum në Tetovë organizoi Festivalin mbarëkombëtar të poezisë “Festat e Nëntorit”, për nder të datave të rëndësishme kombëtare, për të shënuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe,Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Manifestimi u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Tetovës.
‘’’Ky festival organizohet për të shënuar data shumë të lavdishme dhe të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, Ditën e Alfabetit, Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shtetit Shqiptarë, si dhe të gjitha festat e nëntorit që lidhet me nëntoret historik dhe të lavdishëm të historisë të popullit shqiptar. Këtë vit kemi një pjesëmarrje të poetëve nga Kosova, nga Shqipëria, nga gjitha qytet shqiptare të Maqedonisë duke nisur nga Kumanova deri në Strugë. Dhe këtë vit kemi në kuadër të këtij aktiviteti Festivalin portret letrarë që i kushtohet dramaturgut dhe poetit post mortum Selim Ramadani. Njëherit me një çertifikat mirënjohje nderohet Ismail Arsllani për publicistik, gazetari dhe prozë romansier që ka vepruar me dekada në qytetin e Tetovës, duke e shënuar dhe duke ngritur lartë këtë qytet”, tha Sadije Aliti, kryetare e Shoqatës.
Pjesë e programit ishte edhe portreti letrar i aktorit dhe poetit të ndjerë Selim Ramadani, ku u lexuan poezi nga krijimtaria e tij dhe një vlerësim letrar për vepren e tij nga Ejup Ajdini,
“Është vepër e shpirtit, e ndjenjave të larta njerëzore, humane dhe i cili ka qenë një autor që i ka botuar nëpër revistat e kohës, nëpër gazetat e kohës dhe tani ato janë mbledhë janë ruajtur dikund nëpër podrumet e Prishtinës. Dhe njëherë ka qenë artist i teatrit’’
Me mirënjohje u nderua edhe shkrimtari dhe publicisti Ismail Arsllani, për kontributin e tij, në fushën e letërsisë, artit dhe gazetarisë dhe për veprimtarinë e pa lodhur krijuese për kulturën dhe traditën shqiptare.
“ Kjo mirënjohje për mua është shumë e veçantë. E veçantë në këtë ditë të veçantë për shkak se unë në këtë kohë tash rrumbullakoj 55 vjetorin e krijimtarisë time në fushën e gazetarisë dhe të letërsisë. I përgëzoj Shoqatën e shkrimtarëve Oenium që ma bëni këtë nder të më ndaj një mirënjohje e unë personalisht u uroj atyre të kenë sukses edhe më të madh në të ardhmen “ deklaroi krijuesi Ismail Arsllani
Poezia, në këto ditë festash nuk është thjesht varg, por një flamur shpirtëror që valëvitet në çdo zemër. Ajo na kujton sakrificat, gjakun dhe ëndrrat që ndërtuan Shqipërinë, duke e bërë nëntorin një muaj reflektimi, mirënjohjeje dhe dashurie për atdheun dhe shqiptarët, me një përfshirje gjeografike nga e gjithë hapësira shqiptare. Poezitë e tyre i lexuan: Daut Dauti, ZymerHaliti, Leme Ahmeti, Mejrme Kajolli-Tusha, Merita Abazi, Emrah Bilalli, RudinaBatku, Fatmire Doko-Lumani, Jusufzija Ademi, Behare Neziri, Ejup Ajdini, Rami Kamberi, Bajramali Selimi, DaimI ljazi, Adem Abdullahu, Sulejman Mehazi, Artan Arsllani, Syrja Etemi. Pika muzikore në flautë u luajtën nga Merita Emurllahi, e aktiviteti u moderua nga Azra Alija.
Një falënderim i përzemërt për të gjithë poetët dhe poeteshat, që me poezitë e tyre të bukura dhe recitimet plot frymë e kanë madhështuar aktivitetin poetik kushtuar Festave të Nëntorit, në shenjë vlerësimi, u nderuan me mirënjohje të gjithë pjesëmarrësit. Manifestimi u financua nga Minstria e Kulturës dhe Turizmit e Maqedonisë së Veriut.

