Site icon Tetova Expres

Muzeu i Alfabetit shënon Ditën e Kongresit të Manastirit

Institucioni kombëtar Muzeu i Alfabetit Shqip po shënon Ditën e Kongresit të Manastirit me një sërë aktivitete programore. Ky kongres historik u mbajt në Manastir dhe përfundoi më 22 nëntor 1908, kur u mor vendimi për unifikimin e alfabetit shqip.

Drejtori i muzeut, Nuer Arsllani, theksoi se solemnitetit qendror, i cili do të mbahet nesër, i paraprijnë aktivitete të ndryshme në hapësirat e institucionit.

“Këtyre ditëve kemi realizuar programe edukative me nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën, kemi promovuar një ekspozitë që dëshmon periudhën e Kongresit të Manastirit. Të ftuarit tanë ishin profesorët Arsim Sinani dhe Dorina Dariu nga Tirana, ndërsa dje organizuam një tribunë shkencore. Me shënimin vazhdojmë edhe sot: në orën 14:00 do të mbahet një orë poetike në ambientet tona, ndërsa sonte në kinemanë ‘Manaki’ do të shfaqet një film dokumentar”, tha Arsllani për MIA.

Manifestimet për Kongresin e Manastirit dhe 22 nëntorin përfundojnë nesër, në ditën e festës, kur muzeun do ta vizitojnë delegacione qeveritare dhe kuvendore nga Maqedonia, si dhe nga jashtë.

Që nga 22 nëntori i vitit 2007, Dita e Alfabetit Shqip festohet si festë shtetërore dhe është ditë jopune për qytetarët e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Advertisement
Exit mobile version