Site icon Tetova Expres

Shënohet 24 vjetori i themelimit të UEJL-së

 Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, sot u mbajt ceremoninë e shënimit të 24-vjetorit të themelimit. Kjo ngjarje solemne mblodhi rektorë të universiteteve publike nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të korit diplomatik, komunitetit të biznesit, trupave të akreditimit dhe cilësisë në arsim, si dhe shumë mysafirë të tjerë. Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Sadudin Ibraimi, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë historike të datës së themelimit të Universitetit dhe rolin kyç të universitetit në avancimin e arsimit, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes. Ai nënvizoi se zhvillimi i shtatë fakulteteve, përfshirë dy më të rejat atë të Shkencave Teknike dhe atyre Shëndetësore përbën një dëshmi të qartë të dinamizmit dhe vizionit strategjik të institucionit.

Rektori Ibraimi foli edhe për disa prej arritjeve më të rëndësishme të vitit, si lansimi i vitit përgatitor për studentët ndërkombëtarë, iniciativa novatore “AI at SEEU”, si dhe pjesëmarrja aktive e UEJL-së në Aleancën Evropiane “Challenge EU”, ku universiteti vlerësohet si një nga motorët kryesorë të projektit.

“Që nga zanafilla e tij UEJL ka qenë shembull i përfshirjes, diversitetit dhe ekselencës akademike. Sot duke reflektuar mbi rrugëtimin tonë, mund të themi me krenari se universiteti ynë është konsoliduar si një institucion i njohur dhe i respektuar në rajon dhe më gjerë. Këtë e dëshmon rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve dhe si rezultat i rritjes së fakulteteve, programeve studimore dhe bursave studimore, që reflektojnë qëndrueshmërinë afatgjate të këtij institucioni. Fuqia jonë akademike qëndron në shtatë fakultetet tona që sot përbëjnë shtyllën intelektuale të Universitetit duke avancuar kërkimin shkencor, inovacionin dhe formimin e profesionistëve që kontribuojnë me vlerë në shoqëri”, tha rektori Ibrahimi.

Në fjalimin e tij, kryetari i Bordit të Universitetit, Klaus Tohterman, përcolli një këndvështrim simbolik për numrin 24, duke e lidhur atë me vazhdimësinë, stabilitetin dhe arritjen, vlerë që, sipas tij, e kanë karakterizuar këtë universitet që nga themelimi. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për studentët e doktoraturës, stafin e Universitetit dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në konsolidimin e UEJL-së si një institucion modern, të qëndrueshëm dhe me ndikim të gjerë shoqëror. Në kuadër të përvjetorit, ky universitet promovoi kandidatët e doktoratës, ndërsa stafit me 20 vite dhe 10 vite përvojë pune në Universitet iu ndanë mirënjohje dhe dhurata për kontributin e tyre afatgjatë në zhvillimin e institucionit.

Në përmbyllje, ceremonia u shënua si një moment reflektimi dhe rikthimi te vlerat themelore të universitetit, përfshirja, inovacioni dhe integritetit duke riafirmuar përkushtimin e UEJL-së për të vazhduar misionin e tij në edukimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja. Programi artistik i ceremonisë u pasurua nga performanca e artistes së njohur operistike nga Tetova, Besarta Murtezani, pianisti Shkëlzen Baftiari, si dhe Kori i Tetovës nën udhëheqjen e Jeton Pustina, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë të veçantë kulturore. (koha.mk)

Advertisement
Exit mobile version